Brazili rikthehet te fitorja, Cunha dhe Vinicius mposhtin Haitin dhe afrojnë “Seleçaon” me fazën me eliminim direkt Pero Pejiç shkatërroi Elbasanin duke ngjitur Kukësin të vetëm në krye të Superligës. Sulmuesi kroat u bë lojtari i ndeshjes pasi shënoi 3 gola në fitoren 3-0 të verilindorëve ndaj ekipit të Dostit, që me shumë mundësi do të luajë për të respektuar kampionatin pasi shanset për një mrekulli mbijetese janë shumë të pakta.
Me tripletën e së shtunës, shtatlarti Pejiç e çon në 14 numrin e golave të shënuar këtë sezon në Superligë.
Laçi i Armando Cungut ndali në barazim pa gola Skënderbeun, i cili tashmë e sheh veten 4 pikë larg Kukësit kryesues. Korçarët e drejtuar nga Mirel Josa e dominuan lojën, por nuk arritën në asnjë moment të shndërronin në gol rastet e krijuara para portës së Vujadinoviç.
11 minuta i kanë mjaftuar Partizanit të marrë 3 pikë në Fier dhe të mbajë ritmin e skuadrave kryesuese të Superligës. Të kuqtë e drejtuar nga Shpëtim Duro nuk treguan asnjë mëshirë dhe fituan 2-0 ndaj Apollonisë, skuadër e cila vazhdon të mbetet e fundit në klasifikim.
Vila dhe Rahmani ishin autorët e golave për ekipin kryeqytetas, që pas kësaj fitoreje mban vendin e katërt me pikë të barabarta me Skënderbeun e vendit të tretë.
Goli i Mirel Çotës në fund të ndeshjesh i dha fitoren 2-1 Teutës ndaj Vllaznisë në “Niko Dovana”. Skuadra durrsake, e cila javën e kaluar ishte pjesë e polemikave për humbjen në Vlorë, kaloi në avantazh në minutën e ‘42 me një 11-metërsh të Andi Nikës.
Në pjesën e dytë, Soza shndërroi në gol pasigurinë e portierit Osmani në minutën e ‘69 dhe barazoi shifrat. Atëherë kur të gjithë mendonin se ky do të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes, Mirel Çota i harruar nga mbrojtësit e Vllaznisë shënoi golin e dytë për Teutën.
Ndeshja në Durrës u mbyll me protestat e lojtarëve të Vllaznisë për një gol të tyrin të anuluar nga kryesori Blerim Ziri në minutën e ‘95. Ky triumf e largon më shumë Teutën nga fundi i renditjes, ndërsa Vllaznia mbetet në vendin e shtatë me23 pikë.
Top Channel