Plotësimi i vakancave në KQZ, mazhoranca rekomandon 3 anëtarë

27/01/2015 00:00

3 vendet vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të plotësohen së shpejti, pasi mazhoranca në Komisionin e Ligjeve rekomandoi votimin e tyre në Kuvend.

Opozita ishte kundër për 2 propozimet e Partisë Socialiste, Denar Biba, që rikthehet për të zënë vendin që la bosh 2 vjet më parë dhe për Edlira Jorgaqin.

Sipas demokratëve, ata nuk plotësojnë kriterin e një figure me integritet, konsideratë të cilën socialistët e cilësuan të papranueshme.

“Konkretisht, zoti Biba ka qenë me detyrën e nënkryetarit të këtij komisioni, në mënyrë të paligjshme është dorëhequr dhe ka braktisur detyrën. Zonja Jorgaqi ka gënjyer përpara Parlamentit në rastin kur u propozua për të qenë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Solli një CV të falsifikuar”, tha deputeti i PD-së, Arben Ristani.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, u përgjigj: “Ata janë profesionistë të klasit të parë. Zonja Jorgaqi ka që nga viti 1992 në Ministrinë e Drejtësisë si specialiste dhe pavarësisht rotacioneve politike, do të thotë që ka vlerë profesionale. Zoti Biba ka punuar në institucione të rëndësishme si Gjykata e Lartë.”

Zoti Xhafaj, i cili diskutoi i fundit, përpara se të votohej  ktheu përgjigje për çdo kritikë të opozitës, por ai nuk preku një çështje të ndjeshme që e ngritën në unison të gjithë kolegët e tij të mazhorancës, sipas të cilëve koalicioni qeveritar duhet të marrë shumicën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, deklaroi: “KQZ-ja, në këtë formatim 4-3 për opozitën është e gabuar. Duhet ta rregullojmë në të ardhmen me qëllim që të zbatohet drejtë ligji.”

Ndërsa deputeti i PS-së, Armand Subashi theksoi: “Me këtë KQZ, zgjedhjet në çdo moment mund të hidhen në erë nga kjo opozitë.”

Që shumica të marrë kontrollin e KQZ-së duhet të ketë 4 anëtarë, por të enjten Kuvendi do të plotësojë vetëm 3 vendet e mbetura bosh para zgjedhjeve të 2013-ës.  

Top Channel