Napoli sërish në zonën Champions

27/01/2015 00:00

Edhe pse dy ekipet e Milanos, përkatësisht Interi dhe Milani, nuk po arrijnë të rivalizojnë për një vend vitin e ardhshëm në Champions League, duket se lufta për vendin e tretë në Serinë A është e ashpër.

Të dielën, Lazio mori përkohësisht vendin e tretë pas fitores bindëse ndaj Milanit, por të hënën Napoli është rikthyer në këtë pozicion, pasi ka mposhtur Genoa-n 2-1 në fushën e tij.

Argjentinasi Higuain arriti te goli që në minutën e 7-të, duke krijuar idenë e një fitoreje të lehtë, por nuk rezultoi kështu. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa në 45 minutat e dyta, miqtë arritën të barazonin rezultatin në minutën e 56 me Iago Falque.

Napoli e rriti ndjeshëm presionin në kërkim të golit të fitores dhe në minutën e 75 ata fituan një 11-metërsh, të cilin e ktheu në gol sërish Higuan, duke siguruar 3 pikët e radhës dhe vendin e tretë në renditje.

Të hënën u luajt edhe ndeshja tjetër e javës së 20 të Serisë A, Empoli-Udinese, e cila u mbyll me rezultatin 1-2.

Lojtari i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj u aktivizua gjatë gjithë takimit, por nuk mundi të ndihmonte ekipin e tij të merrte të paktën një barazim.

Top Channel