Mbipopullimi i burgjeve, AP: 1340 të dënuar flenë në dysheme

26/01/2015 00:00

Institucioni i Avokatit të Popullit u tërheq vëmendjen Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Rendit lidhur me mbipopullimin në ambientet e sigurisë në komisariatet e policisë si dhe burgje.

Nga inspektimet e kryera nga ky institucion, rezulton se rreth 1340 persona në burgje flenë përtokë, madje dhe pa dyshekë.

“Mbi kapacitetin zyrtar prej 4537 personave, aktualisht në IEVP mbipopullimi kap shifrën e 1340 personave, pra rreth 40% mbikapacitet, që flenë përtokë me dyshekë, por në disa raste edhe pa dyshekë e vetëm me batanije, dhe me turne. Madje shqetësuese është që një pjesë e këtyre personave janë edhe me probleme të shëndetit mendor”, tha Jorida Rustemi.

Kjo situatë, sipas Rustemit, shkel jo vetëm të drejtat e personave të privuar nga liria, por krijon premisa për trajtim çnjerëzor dhe degradues ndaj tyre. Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë të marrë masat për të krijuar kushte të përshtatshme për personat e privuar nga liria.

“Institucioni i Avokatit të Popullit sugjeron të merren masa të menjëhershme për të kufizuar mbipopullimin e IEVP-ve dhe paraburgimeve, me objektivin që çdo qeli të ofrojë minimalisht 4 metra katrorë hapësirë jetike për person. Të merren masa të menjëhershme për përgatitjen nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të një propozimi formal ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, për rritjen e masave të dënimeve alternative jo penitenciare, për persona të cilët kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Marrjen në konsideratë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për paraqitjen përpara Kuvendit të Shqipërisë të një projektligji për amnisti të të dënuarve që kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore”, deklaroi Jorida Rustemi.

E njëjta situatë mbipopullimi ka rezultuar edhe në komisariatet e policisë, si në Elbasan, Lezhë, Berat, Korçë, komisariati 3 dhe 5, dhe Drejtorinë e Qarkut në Tiranë. Madje në disa raste, persona me masë sigurie vijojnë të qëndrojnë në dhomat e sigurisë në komisariat, gjë e cila sipas Rustemit është në kundërshtim të plotë me kuadrin ligjor.

Top Channel