“1001 telashet” e Milanit. Inzaghi hesht, Mexes jashtë, dëmtohet “El Shaa”, vjen Destro?

26/01/2015 00:00

Në ambientet e Milanit nuk ka më vend për fjalë dhe këtë e di mirë Filippo Inzaghi, i cili pas humbjes me Lazion në “Olimpico” ka mbyllur të gjitha kritikat ndaj lojtarëve të tij në vetëm 2 minuta, përpara stërvitjes së radhës.

Pippo ka vendosur të mos flasë deri përpara ndeshjes për Kupën e Italisë, që do të jetë sërish ndaj lacialëve. Megjithatë, tani nevojiten rezultatet dhe takimi i së martës do të jetë deciziv. Në rast dështimi, gati Tassotti për ta zëvendësuar.

Ndërkohë, një zë “zhurmues” i merkatos së janarit kërkon të sfidojë lajmin e keq të ditës së hënë për kuqezinjtë, të cilët kanë humbur El Shaarawyn për të paktën 6 javë për shkak dëmtimi, me një tjetër lajm të mirë: atë të kalimit të sulmuesit të Romës, Mattia Destro, te Milani që nga dita e mërkurë, kur dhe do të zhvillojë vizitat mjekësore.

Destro dhe Milan përfliten prej më shumë se një muaji, pavarësisht se trajneri i Romës, Garcia, e ka konsideruar të pashitshëm. Por, tratativat me Shakhtar Donetsk për Luiz Adrianon mund ta çojnë sulmuesin te Milani, ashtu siç është edhe dëshira e tij, teksa edhe agjenti i lojtarit pret vetëm telefonatën e klubit kuqezi.

Sa i përket El Shaarawyt, testet mjekësorë të kryera në Amsterdam i kanë nxjerrë një frakturë tepër të rëndë në këmbën e djathtë. Do t’i duhet të kalojë një periudhë trajtimi prej 6 javësh dhe më pas t’u nënshtrohet sërish testimeve, përpara se të rikthehet të luajë. Rrezikon shumë, por më e pakta është që të rikthehet në fund të pranverës.

Top Channel