Zgjedhjet në FSHF

25/01/2015 00:00

Më datë 28 shkurt do të zhvillohet edhe asambleja zgjedhore për mandatin e ardhshëm drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Zgjedhje të cilat deri në këto momente po kalojnë në qetësi, pa zhurmën e zgjedhjeve të shkuara apo pa palë kundërshtare të presidentit aktual Armando Duka.

Me shumë gjasa do të jetë ai që do të marrë mandatin e katërt si president i FSHF-së edhe për 4 vite të tjera, por ndryshe nga më parë, kjo do të jetë një zgjedhje me konsensus të plotë, për të mos thënë thjesht me duartrokitje.

“Sipas statutit të FSHF-së nuk mund të vetëshpallesh kandidat dhe kjo është një nga arsyet përse nuk kemi propozime. Sipas gjasave do të jetë vetëm emri im”, deklaron Duka.

Dhe nëse kandidati kryesor mbetet i njëjti, presidenti aktual, këtë herë si për mandat të katërt premtimet janë në vazhdim, për të mos thënë ato të mbeturat në mes deri më tani.

Sa i përket planit të investimeve, presidenti Duka premton se në mandatin e rradhës do të kemi të paktën dy stadiume për ndeshjet ndërkombëtare, veç atij të Elbasanit, edhe atë “Loro Boriçi” të Shkodrës.

“Për mua, nëse do vazhdoj drejtimin e FSHF, prioritet do të jetë vijimi i projekteve të nisura për stadiumet, atë “Qemal Stafa” në Tiranë, stadiumin e Elbasanit, si dhe atë të Shkodrës për ta bërë sipas standardeve”, nënvizon Duka.

Për të mbërritur tek objektivi i fundit dhe më kryesori për të gjithë, sportdashës apo jo, sepse kombëtarja përfshin një gamë më të madhe ndjekësish, kualifikimi për në Euro 2016 është objektiv themelor i fushatës së zotit Duka, edhe pse më shumë i shërben imazhit se sa votuesve të tij të drejtpërdrejtë. “Në planin e garave ndërkombëtare synimi është kualifikimi për në Euro 2016”, thotë vetë Duka.

Ndërkohë, ditën e shtunë janë shpërndarë materialet zgjedhore tek 66 anëtarët me të drejtë vote. Ata duhet të dorëzojnë brenda datës 8 shkurt emrat e kandidatit për president dhe 8 emrat kandidatë për anëtarë komiteti, pasi një është automatikisht i zgjedhur, presidenti i Shoqatës së Gjyqtarëve, Tahir Kastrati.

Top Channel