Asgjë unike në “shtëpinë e gjetheve”

25/01/2015 00:00

Arben Manaj – Po shikoja ditë më parë në stacionin e madh televiziv britanik “Sky News” lajmet, kur Obama takonte në Uashington Kryeministrin Cameron dhe i ftuar në atë edicion ishte ish-kryetari i Partisë Liberale britanike, Pedi Eshdaun, një njeri i njohur për karrierën e tij në fushën ushtarake dhe të sigurisë e inteligjencës.

Arsyeja përse ai qe ftuar lidhej me takimin Obama-Cameron dhe më saktë, për nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe ndryshimit të ligjeve për të neutralizuar elementët xhihadistë dhe terroristë.

Ideja ishte që të ndryshohej ligji britanik i përgjimeve dhe agjencive të përgjimit t’u jepeshin kompetenca më të mëdha ligjore për të justifikuar përgjimet elektronike dhe të mediave sociale.

Pedi Eshdaun, ndër të tjera, tha pak a shumë se edhe ai vite, më parë, kishte qenë në një ndërtesë, “dhe mos më pyet se ku”, i tha prezantuesit të edicionit të lajmeve, ku një ushtri e tërë përdorte “Kettle”, aparatura që vlonin ujin dhe hapnin e mbyllnin zarfe të postës.

Qartazi, kishte qenë në një ambient ku shteti anglez bënte përgjimin e korrespondencës së qytetarëve ose atyre që kishte si të dyshuar.

Bëhet fjalë për maksimumi dy ose tri dekada më parë, e cila pak a shumë përkon edhe me kohën e aktivitetit të tij si ushtarak, apo njeri i sigurisë dhe shërbimeve të inteligjencës.

Dhe bëhet fjalë për një shtet si Britania, djepi i kapitalizmit dhe një vend që ka “nënën e parlamenteve”.

E sërish e sot e kësaj dite bëhet fjalë për një vend që ka ndoshta, qendrën më të madhe të përgjimeve në botë GCHQ, në Cheltenham, e krijuar që më 1919-n.

Ky lajm m’u kujtua teksa shikoja përurimin si shtëpi muze të “Shtëpisë së Gjetheve”, ose asaj që pa shumë fantazi i janë referuar edhe si “Bukuroshja e fjetur.”

Ithtarët e këtij projekti deri te ky rresht mund të mendojnë se paralelizmi im është jashtë kontekstit, apo ndonjë tjetër mund të hidhet përpjetë e të thotë se krahasimi nuk është i gjetur, pasi diktatura komuniste përgjonte kundërshtarët e regjimit dhe të gjithë jetonin nën frikën e survejimit e mund të përfundonin në ferrin komunist, siç u shpreh Rama.

Nuk them se kjo nuk është e vërtetë, sepse ai regjim ishte “diktaturë e proletariatit” dhe mburrej me totalitarizmin e tij, të cilin nuk e fshihte, edhe pse egërsia e regjimit dhe doktrina e tij ishte larg formave më humane të komunizmit lindor.

Thënë kjo, tendenca muzeore e ish-ikonave të regjimit të kësaj qeverie që i shndërron ato në objekte edhe arti, lipset të mos shoqërohet me maninë se po zbulojmë apo dekonspirojmë gjëra që të pataksin, duke u atribuuar atyre cilësorë si fjala unike p.sh.

Pa apologjizëm, asgjë unike nuk ka pasur ajo shtëpi përgjimi krahasimisht me simotrat e saj të Lindjes komuniste, por edhe atyre në Perëndimin kapitalist.

Edhe aparaturat e përdorura nuk prodhoheshin në Uzinën e Autotraktorëve të kohës së Mehmet Shehut të egër, e as në Uzinën e Telave të Shkodrës antikomuniste, por ishin prodhime të Perëndimit.

E ku qëndron unikalja këtu, se një qeveri si ajo e Enver Hoxhës blinte aparatura moderne të kohës?! Normal që ashtu do t’i blinte, edhe nga Gjermania Lindore e Perëndimore, edhe nga Kina. Edhe sot e kësaj dite, kështu veprohet me teknologjitë e survejimit.

Edhe tek ambientet e përgjimit të Visho Ajazit sot, teknologjia më moderne përdoret, shpresoj, madje edhe në bashkëpunim me agjencitë më të mëdha të inteligjencës, amerikane apo britanike.

Por “Shtëpia e gjetheve”, ka vazhduar të jetë e atillë deri së fundmi, ose në demokraci e ku edhe SHIK-u i Berishës përgjonte prej andej komunikimet dhe telefonatat e ish-zyrtarëve të Partisë Socialiste në kohën e Nanos e me gjasë edhe të Ramës, të cilët e dinin se përgjoheshin e vendosnin aparatura vibruese nëpër dritare e aplikonin metoda të tjera antipërgjim.

Edhe sot në kohën e Viber-it, e Whatsapp-it, Facebook-ut e Twitter-it, sofistikimi është akoma më i hollë dhe mundësitë e përgjimit janë akoma më të mëdha.

Sot përgjohet Merkeli e kushdo tjetër. Sot përgjon Britania e Amerika, përmes kabllove dhe fibrave optike transatlantike, Rusia e Gjermania e “Xibrakës” apo e Eulex-it në Kosovë dhe ankesa ndaj një gjëje të tillë, më shumë shihet si humbje dhe dobësi përballë atij që arrin të të përgjojë.

Çdo regjim, qoftë diktatorial, qoftë demokratik, e përdor përgjimin dhe survejimin për interesa shtetërore e politike, biznesi dhe supremacie, e dikur edhe për interesa ideologjike, siç ka qenë periudha e egër e Luftës së Ftohtë, kur kundërshtarët ishin ballë për ballë.

Kjo vazhdon edhe më egërsisht sot në kohën e humbjes së sigurt të bipolaritetit, kur bota është shndërruar në një fshat të vogël global, e kur sfidat gjeostrategjike kanë marrë trajta të reja në vendbeteja të reja gjeografike.

Ekzistencën dhe vendndodhjen e “Shtëpisë së Gjetheve” e ka ditur pjesa më e madhe e Tiranës, aq më tepër ne që kemi qenë fqinj në më pak se njëqind metra në vijë ajrore të saj, por jo objekt aktiv, siç kanë qenë kundërshtarët e atij regjimi.

Andaj do të ishte më e udhës që përfaqësues dhe viktima të vërteta të punës së ish-Sigurimit të ishin në atë ceremoni më të shumtë në numër, se sa djali i Mehmet Shehut, që edhe pse ka vuajtur part-time nga regjimi, si djalë i ish-kryeministrit më të egër të regjimit e që nuk mund të krahasohet me përfaqësuesit e klasës që përgjonte dhe kishte objekt pune “Shtëpia e Gjetheve”, sado i afërt dhe njohje që të ketë pasur me Kryeministrin e sotëm, që njëlloj si edhe unë, ishim djem të ish-nomenklaturës komuniste, që gjembat e gjetheve të asaj shtëpie nuk na hynë në këmbë, si bij etërish idealiste.

Edhe tunelet poshtë Ministrisë së Brendshme që shkojnë deri tek Parlamenti i sotëm apo tuneli që lidhte shtëpinë e Mehmetit dhe Enverit me ish-Komitetin Qendror dhe Kryeministrinë, kur t’i inauguroni, mos na i shisni si unikale dhe si të panjohura, aq më tepër të jetë në ceremoni Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit të Enver Hoxhës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA