Aksident në aksin Elbasan-Librazhd, humb jetën kalimtari

20/01/2015 00:00

Një aksident me pasojë vdekjen e një 80-vjeçari ka ndodhur mbrëmjen e së martës në aksin nacional Elbasan-Librazhd.

Burime nga Policia në vendin e ngjarjes bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur pranë fshatit Labinot, ku 80-vjeçari Dylah Bufi, në tentativë për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, i ka prerë rrugën automjetit me targa AA 276 GI, dhe si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ekspertët thonë po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërkohë mësohet se drejtuesi i mjetit, shtetasi Spartak Bajrami, është shoqëruar në polici, ku edhe po merret në pyetje.

Paraprakisht mendohet se shkak i aksidentit ka qenë mungesa e vëmendjes nga ana e 80-vjeçarit, i cili ka dalë në rrugë papritur, ndërsa errësira në këtë pjesë të aksit rrugor ka ndikuar që drejtuesi i mjetit të shquajë me vonesë kalimtarin, e për pasojë të mos mundet të evitojë aksidentin fatal.

Top Channel