“Shqip”, Lushnja e Kongresit

19/01/2015 00:00

Bashkia e Lushnjes po përgatit festimet për 95-vjetorin e Kongresit të Lushnjes, një ngjarje e rëndësishme për historinë e Shqipërisë dhe pikërisht kësaj ngjarjeje iu kushtua këtë të hënë emisioni “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga.

I zhvendosur në shtëpinë ku u zhvillua kongresi,  “Shqip” solli imazhe, por edhe dëshmi të reja mbi atë kohë të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.

Në panel ishin të ftuar historianët Pëllumb Xhufi, Ylli Myftiu dhe Romeo Gurakuqi, ndërsa cicëroni i objektit rrëfen një detaj interesant për bankat e vogla që ndodhen në ambientet e shtëpisë. “Ditën kur u mbajt Kongresi nuk kishte karrige dhe drejtori i shkollës në atë kohë ofroi bankat e shkollës fillore. Bankat ishin të vogla, dhe ishin të përshtatshme për t’u ulur të mbledhurit”, thotë ai.

Pëllumb Xhufi vlerësoi se kongresi i dha dorën e fundit përpjekjeve të ndërkombëtarëve dhe fqinjëve për të rivënë në jetë marrëveshjen e fshehtë të Londrës.

“Deri më 21 janar 1920 që u mblodh Kongresi, Shqipëria ishte e ndarë mes italianëve, francezëve, serbëve, malazezëve. Pra praktikisht Shqipëria ishte një vend që s’kish pavarësinë. Shqipëria kishte qeverinë e fundit atë të princ Vidit dhe momenti kulmor që e bëri të domosdoshme këtë akt patriotik ishte pikërisht që në atë janar në Paris diskutohej coptimi i Shqipërisë. Kjo konferencë i shpërndau të gjitha lojërat dhe projektet me këtë aktin që afirmoi pavarësinë e shtetit shqiptar dhe që rikthyen shtetin shqiptar në binarët e një shtetit demokratik e republikan. Këtu kemi një parlament dhe me Këshillin e Lartë që luante rolin e Presidentit”, thotë ai.

Për Romeu Gurakuqin figurat e Këshillit të Lartë ishin zgjedhur me kujdes. “Këshilli përbëhej nga 4 fetë e asaj kohe dhe ishte një për të patur një përfaqësim sa më të gjerë. Janë treguar të kujdesshëm për të balancuar Shqipërinë, për të patur kujdes”, tha ai.

Historiani Ylli myftiu shtoi se: “Rrethanat ishin politike të brendshme dhe të jashtme. Ishte tentuar të zhvilloheshin mbledhje kombëtare në Elbasan, Tiranë, Krujë e qytete të tjera, por pa sukses. Qeveria e Durrësit nuk po i dilte për zot çështjes kombëtare dhe lindi ideja që të zhvillohej një mbledhje e përgjithshme kombëtare dhe këtë nismë do ta merrte Krahu Kombëtar dhe Lëvizja Kombëtare e Kosovës. Në fund të 1919 anëtarë të krahut kombëtarë zhvillojnë një mbledhje dhe vendosën për të thirrur këtë Kongres”.

Cicëroni foli pak për shtëpinë duke dhënë një historik të shkurtër të saj. “Shtëpia është e Shaqir Fugës. Këtu u zgjodh për të mbajtur punimet mbledhja kombëtare dhe ajo që të gjithë vizitorët pyesin është ku u mbajt? Ku është dhoma? Mendohet që kjo shtëpi të jetë ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit të 19. Shtëpia është rindryshuar, është zgjeruar në fillim të Luftës së Parë Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore u zgjerua sërish, për të ardhur në vitet më vonë riparimi”, tha ai.

Pëllumb Xhufi iu rikthye rëndësisë që pati Kongresi për vetë ekzistencën e Shqipërisë.

“Për herë të parë pas Luftës së Parë Botërore, Kongresi solli me forcë që Shqipëria dhe patriotët shqiptarë i dolën zotë dhe luftuan edhe me fuqitë e mëdha. Me Italinë dhe me Francën, madje francezët pas 3 viteve e lëshuan Korçën. Këtu qe një mpleksje perfekte mes aksionit luftarak dhe diplomatik. Patriotët kuptuan në atë kohë që përzënia e Italisë nga Vlora zgjidhte të gjithë rebusin. Këtë bënë, e luftuan Italinë në Vlorë dhe e përzunë dhe kjo solli një Shqipëri demokratike me një sistem demokratik”, tha ai.

Për historianin Gurakuqi është e nevojshme që disa figura të këtij Kongresi të rivlerësohen nga historia.

“Babai i këtij kongresi ka qenë Aqif Pashë Elbasani, ndoshta njeriu më i rëndësishëm i këtij kongresi. Duhen riparë disa figura, Aqif Pashë Elbasani dhe Abdi Toptani kërkonin rikthimin e princ Vidit, por Ahmet Zogu ishte pengesa kryesore në planin e brendshëm, por kishte edhe një pengesë ndërkombëtare pasi Vidi ishte krah forcave që humbën në Luftën e Parë Botërore. Kongresi pati një rëndësi të veçantë por nuk zgjidhi statusin e Shqipërisë, që u zgjidh më 9 nëntor”, deklaroi ai.

Pjesën e dytë emisioni iu kushtua plotësisht filmit “Koncert në vitin ‘36”, ndërsa në të tretën panelit iu bashkuan personalitete lushnjare që kanë dhënë kontribut të vyer për qytetin e tyre.

Top Channel