Po gjakmarrja jonë a është “Charlie”?

18/01/2015 00:00

Ilir Yzeiri – Të nesërmen e entuziazmit folklorik që ngjalli parakalimi i katër përfaqësuesve të besimeve fetare në Paris, gazeta e njohur italiane “Corriere della Sera” botonte një reportazh me shkrim  dhe me figurë për një rast gjakmarrjeje në Rrethin e Shkodrës. Ishte historia e një të riu mbyllur në shtëpi për 21 vjet me radhë, sepse i ati, në sherr e sipër, kishte vrarë fqinjin e tij për shkak të kufirit të tokës. I ati ishte në burg, por familja ishte ngujuar dhe vijonte ashtu derisa e gjeti grupi i gazetarëve italianë.

Kjo histori nuk përbën më problem për ne shqiptarët. Pas rënies së diktaturës ne u mësuam më këtë plagë të errët të shoqërisë sonë dhe tani e kemi pranuar atë si një fatalitet normal, si një mënyrë të sjelljes në postkomunizëm. Pas tragjedisë që ndodhi në Paris, të gjithë elitat në Shqipëri nxituan të tregojnë shpirtin europian të tyre. Analizat, interpretimet e kësaj dukurie ishin me një dominante europiane, por në rrjetet sociale, shqiptarë andej e këndej kufirit shtetëror shfaqeshin herë si “Jo-Charlie” e, në jo pak raste, shfaqeshin edhe si islamistë të prekur thellë dhe në heshtje e miratonin sulmin barbar mbi redaksinë e periodikut statirik francez.

Bota për një çast u nda në dysh dhe ne, shqiptarët, kishim një mundësi që të tregonim se ndarja fetare te ne nuk është një përjashtim për tjetrin e ndryshëm. Dikush u shty më tej dhe tha se prandaj edhe Enver Hoxha, me lehtësinë më të madhe, i kishte rrafshuar besimet fetare gjatë sundimit të tij. Po si ka mundësi që gjakmarrja ekziston ende dhe na paraqit ne si popullin më të prapambetur të Europës? Ekzistenca e gjakmarrjes lidhet me temperamentin e veçantë të shqiptarëve, me kodin e tyre psikik? Si ka mundësi që shqiptarët nuk kanë besim ende në institucionet e jashtme të njeriut, siç janë ligji, gjykata, policia, ushtria? Në gjithë këta vjet tranzicioni, gjakmarrja nuk është marrë asnjëherë seriozisht si një dukuri e rëndë dhe tragjike që na identifikon ne me popujt-fise, me grumbullime të egra njerëzish që nuk janë ndarë mes tyre nga institucionet e kulturës, por nga emocionet dhe utopitë e brendshme.

Ekzistenca e gjakmarrjes si një institucion që e sfidon shtetin në një pjesë të caktuar të territorit, e hedh poshtë në një farë mënyre kultin e tolerancës fetare ose, në rastin më të keq e bën atë të pavlefshme, ose në rastin më të mirë u tregon të gjithëve se shqiptarët nuk kanë kult as religjionin, por as shqiptarinë, por kanë kult nderin, gjakun. Ata shqiptarë që praktikojnë ende gjakmarrjen nuk e pranojnë shtetin si institucion. Shteti shqiptar në njëqind e ca vjet të ekzistencës së tij është përpjekur dy herë që të merret me këtë plagë të rëndë. Qeveria e Zogut e pat nisur këtë aksion me mbledhjen e armëve dhe me ndëshkime të tjera. Komunistët e zhdukën me dhunë dhe eliminuan gjithçka që kishte të bënte me këtë zakon të vjetër. Por, ata, megjithëse premtuan se do të ndërtonin shqiptarin e ri dhe shqiptaren e re, në fakt, nuk bënë tjetër vetëm se eksperimentuan në trutë e shqiptarit klasik një formë regresive të ndërtimit të jetës që rezultoi fatale, siç e dimë të gjithë.

Ringjallja e gjakmarrjes përsëri dhe identifikimi me format primitive të jetës ku në qendër të marrëdhënieve të komunitetit nuk vendosen institucionet e kulturës, por institucioni i emocionit vetjak, i ka bërë shqiptarët të pakuptueshëm në sytë e botës. Dhe me të vërtetë, si shpjegohet toleranca që kanë shqiptarët ndaj atij që është i ndryshëm nga ai në fushë të religjionit, të ngjyrës së lëkurës, të etnisë dhe nga ana tjetër, një popull tolerant si ky që përshkrova më parë, duhet të ishte popull me institucione të forta ligjore, në fakt, është krejt e kundërta. Institucioni i gjakut me sa duket, në atë pjesë të popullsisë shqiptare që praktikon gjakmarrjen është institucioni dhe besimi më i lartë. Mirëpo, është për t’u shënuar edhe një dukuri tjetër. Si ka mundësi që asnjë qeveri nuk përballet me këtë dukuri dhe nuk tregon se ka një plan të qartë që të fillojë ta identifikojë në fillim dhe të përpiqet që ta shërojë më në fund.

Ekzistenca e gjakmarrjes na ka kthyer shpeshherë edhe në një vend me ekzotikë afrikane. Gjatë përvojës sime jo të vogël si gazetar, kolegë nga Kanadaja, Franca apo SHBA-ja kanë ardhur në Shqipëri dhe më kanë kërkuar që t’i ndihmoj për të gjetur rastet e virgjëreshave të betuara dhe rastet e gjakmarrjes. Jam përpjekur më kot që gjatë atyre ditëve të shoqërimit me ta t’u flas edhe për tolerancën fetare, për rrënjët tona europiane, për Gjergj Kastriotin e për gjithçka me rrënjë europiane që ne e kemi përnjimend, por nuk ua shpjegoja dot përse vijon gjakmarrja ende, se përse një fëmijë në moshën 2 vjeç është i detyruar të rrijë mbyllur për gjithë jetën, sepse shtëpia e tij është në gjak. Si mund të mbahet i mbyllur në një dhomë një fëmijë, si mund t’i mohohet atij fëmijëria, si mund të dënohet me burgim të përjetshëm që në lindje të tij për shkak se babai, xhaxhai, daja apo një tjetër i afërm i ngushtë i tij ka vrarë dikë? Cinizmi më i madh i shoqërisë sonë është indiferentizmi ynë kolektiv.

Në Shqipëri, në opozicion me shprehjen kristiane që fati i tjetrit është dhe fati im, ekziston shprehja më cinike në botë – larg bythës sime. Shqiptarët, sidomos përballë këtij fenomeni monstruoz e të përbindshëm duhet të ndihen të gjithë fajtorë. Ato institucione që kanë fituar miliona e miliona euro apo dollarë për ta mjekuar këtë plagë duhet të përgjigjen një ditë para ligjit. Unë nuk jam besimtar, por mallkimi është një formë e manipulimit psikologjik dhe emocional, ndaj unë do të shtoja që të përgjigjen edhe ndaj Zotit, ndaj fatit dhe mos i gëzofshin ato para të fituara nga ata fatkëqij. Kam dashur prej kohësh t’u drejtohem me një letër të hapur deputetëve të Qarkut të Shkodrës dhe t’i pyesja se si ndihen ata përballë këtij makabriteti? Si ka mundësi që nuk pajtohen mes vedi ata deputetë të atij qyteti martir dhe t’i vendosin zyrat në Shkodër e të betohen se nuk do të shkelin në Tiranë pa i dhënë një rrugë kësaj plage. Si ka mundësi që ndihen të qetë?

Ata, bashkë me misionarët fetarë në atë qytet mund të bëjnë gjëra të mëdha për ta shëruar Shkodrën nga kjo plagë. Vetëm atëherë ata mund të organizonin në Shkodër një manifestim të madh kundër gjakmarrjes dhe të parakalonin në Bulevardin e Madh të atij qyteti me të katër përfaqësuesit e besimeve fetare. Ai marshim do të ishte me më shumë vlerë sesa parakalimi i klerikëve tanë në Paris, sepse ai në Paris është një fotografi e bukur që ne kemi të drejtë ta ekspozojmë kudo në botë, ndërsa parakalimi në Shkodër do të ishte fitore mbi një plagë dhe mbi një krim mesjetar. Fitimtari, të paktën një ditë pas çlirimit ka të drejtë të parakalojë, pastaj duhet të heshtë. Uroj që një gjë e tillë të ndodhë një ditë në mënyrë që ata të mos e meritojnë atë shprehjen cinike që e meritojmë të gjithë, në mënyrë që ata të shpallen si të parët shqiptarë që fatin e tyre e kanë të lidhur edhe me shqiptarin tjetër që vuan, se për ta shprehja cinike “larg bythës sime” është një atavizëm i kohës kur ekzistonte gjakmarrja… Sikur të ndodhte kështu…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA