Francë, ndihmuan terroristët, 12 në pranga

16/01/2015 00:00

Policia franceze arrestoi 12 persona të dyshuar se kanë ndihmuar grupin e ekstremistëve islamikë në kryerjen e vrasjeve të shumfishta në Paris javën e kaluar.

Arrestimet u kryen në natën mes së enjtes dhe së premtes në rajonet jugore të Parisit, përfshi zonën në afërsi të vrasjes së oficeres së policisë nga Ahmed Coulibaly.

Gjithçka nisi me sulmin mbi zyrat e revistës satirike Charlie Hebdo më 7 janar, për të pasur një spirale dhune 3-ditore që la pas 20 të vrarë, përfshi këtu edhe tre agresorët, dy vëllezërit Kouachi dhe Ahmed Coulibaly.

Në orët e vona të së enjtes në Paris mbërriti Sekretari i Shtetit, John Kerry. Ai u prit nga Ministri i Jashtëm, Laurent Fabius para se të takohej me Presidentin Francois Hollande.

“Jam i lumtur që u takuam. Kemi shumë për të folur”, ishte deklarata e Kerry me homologun e tij francez.

Vizita e Kerry-t mbërrin pas kritikave mediatike kundrejt Uashingtonit që nuk u përfaqësua me asnjë zyrtar të lartë në atë që u quajt “Marshimi i Unitetit” në Paris ditën e dielë.

Po të enjten në Paris iu dha lamtumira e fundit 12 viktimave të sulmit mbi redaksinë e revistës “Charlie Hebdo”, e cila të mërkurën doli me numrin e radhës të saj, sërish me karikatura të Profetit Muhamed duke shitur një numër rekord prej më shumë se 3 milion kopjesh.

Top Channel