Laboratori i kokainës në Elbasan, hetimet pas kërkesës së Gjermanisë

15/01/2015 00:00

Ka qenë një kërkesë e ardhur nga pala gjermane, drejtuar Prokurorisë shqiptare ajo që ka çuar dhe në zbulimin e laboratorit më të madh të përpunimint të drogës në Ballkan.

Burime konfidenciale bëjnë të ditur për Top Channel se fillimisht autoritetet gjermane pas hetimeve të tyre i janë drejtuar Prokurorisë së Shqipërisë për kryerjen e një veprimi proçedurial në ngarkim të një prej të arrestuarve, konkretisht për Ilir Hysenin, i cili nga hetimet e deritanishme mendohet të jetë dhe organizatori i këtij grupi të trafikut të lëndëve narkotike.

Të njëjtat burime nuk bëjnë të ditur detaje lidhur me veprimin proçedurial të kërkuar nga pala gjermane në ngarkim të Hysenit, por saktësojnë se pasi është dhënë aprovimi për këtë veprim, në javën e parë të muajit dhjetor 2014, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konstatuar se informacioni i mbledhur duhej të ndiqej nga edhe nga ana e tyre, pasi ishte i rëndësishëm.

Menjëherë, raportojnë burimet, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit është ngritur një grup i përbashkët hetimor për mbajtjen nën vëzhgim fillimisht të Ilir Hysenit, ku veç surveijimit është vendosur nën përgjim edhe telefoni i tij.

Nga këto veprime, më pas oficerët e policisë dhe të prokurorisë kanë arritur të zbulojnë veprimtarinë kriminale të Hysenit dhe të identifikojnë personat e tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se Ilir Hyseni ishte kreu i këtij grupi, ndërsa Ermal Hoxha ka pasur rolin e financuesit, ndërkohë që është duke u punuar për zbardhur rolin e secilit prej të arrestuarve në përpunimin e më pas trafikimin e lëndës narkotike.

Nga ana tjetër, policia ka vijuar me hetimet duke kërkuar tashmë asetet kriminale të trafikantëve të ndaluar, si dhe është duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal, persona të cilët mendohet se ndodhen edhe jashtë Shqipërisë.

Ndërkohë, nga laboratori i bllokuar i kokainës në Elbasan, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se, faktet që Policia e Shtetit është ndarë nga krimi ku ishte zhytur deri në fyt po shfaqen nga rezultatet e punës së saj.

“Operacion që nga ana tjetër tregon dhe integritetin e Policisë së Shtetit dhe flet shumë qartë për prerjen e lidhjeve ndërmjet botës së krimit dhe Policisë së Shtetit. Këtu flasim për një hetim disamujor, i konkluduar me sukses, por që nuk do të ndodhte kështu siç nuk ka ndodhur në këtë kaluarën, në rast se Policia e Shtetit do të ishte siç ka qenë e zhytyr, siç ka qenë në të kaluarën, deri në fyt, në lidhje me botën e krimit”, deklaroi Tahiri.

Zbulimi i këtij laboratori shkaktoi edhe polemika me sfond politik. Deputeti demokrat Arben Ristani tha se ekzistenca e një biznesi të tillë është dëshmi e lidhjeve të pushtetit me trafikun e drogës.

“Çdo orë po dalin të dhëna dhe fakte tronditëse për përfshirjen në këtë organizatë të njerëzve të lidhur me pushtetin. Ne po e pyesim sot Edi Ramën, a kanë lidhje me këtë organizatë kriminale të afërm të funksionarëve të lartë të Qeverisë? A kanë lidhje me këtë organizatë kriminale, financues të fushatës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit?”, deklaroi Ristani.

Akuzave politike ministri i Brendshëm iu përgjigj duke thënë se opozita duhet të lerë të qetë policinë të kryejë detyrat e saj.

“Sa i takon vajtoreve politike që keni dëgjuar, ky operacion vlen shumë më tepër se çdo deklaratë politike e deritanishme. Ndaj unë jam këtu për të bërë edhe njëherë një thirrje, për të gjithë ata që shfrytëzojnë çdo gjë dhe dalin sulmojnë Policinë e Shtetit nga vajtoret politike, t’i bëj thirrje të heshtin dhe të lënë Policinë e Shtetit të bëjë detyrën e saj, në mënyrë të qetë”, vijoi Tahiri.

Top Channel