SKËNDER MINXHOZI – Sot ka dalë në treg numri i radhës i “Charlie Hebdo”.
Kush priste që “gazeta e papërgjegjshme”, siç e emërton ajo veten në
krye të faqes së parë, të ndërronte kurs, do të mbetet i zhgënjyer.
Nga zyrat e gazetës “Liberation”, ku po punojnë aktualisht, gazetarët e karikaturistët e mbetur të “Charlie”-t kanë bërë një numër, që ata e përcaktuan “mes haresë dhe dhimbjes”. Janë sërish tetë faqe, është sërish në kopertinë një karikaturë për Muhamedin, por në vend të 60 mijë kopjeve të zakonshme, është kaluar në 3 milionë të tilla, ndërsa vetë revista nuk botohet më vetëm në frëngjisht, por në 16 gjuhë të ndryshme. Pas ngjarjes së dhimbshme të 7 janarit, kur thuajse e gjithë redaksia e “Charlie Hebdo” u pushkatua në tryezën e punës, gjithçka që lidhet me trashëgiminë dhe imazhin e kësaj reviste dikur të vogël parisiane, përbën një bombë të vërtetë me sahat. Përtej faktit se janë vrarë 17 persona me pasaportën franceze në xhep (e jo 17 indigjenë të një fisi të humbur në Afrikë), kriza e shkaktuar nga masakra e Parisit futi në një shteg të rrezikshëm të gjitha marrëdhëniet mes Perëndimit dhe botës islame.
Krerët e shteteve të moderuara myslimane që marshuan krah Hollande, Merkel e Cameron, nuk mundën të mbulojnë acarimin e Erdoganit, ftohtësinë e vendeve arabe të Gjirit, apo kërcënimet e rinovuara të Al Qaeda-s dhe ISIS. Duket sikur u hap edhe një herë Kutia e famshme e Pandorës dhe e gjitha kjo, pikënisjen e ka te vullneti i demokracive perëndimore për të mos lëshuar në parimet e lirisë së fjalës dhe për të mos çeduar përballë presionit të radikalizmit islamik.
Pyetja në kokën e këtij shkrimi, është më shumë një dilemë. Një nga ato dilema që, prej disa ditësh, ka gërryer seriozisht qetësinë dhe ekuilibrin e shumë prej rrjeteve televizive e gazetave gjigante të Amerikës, Britanisë dhe Europës. A duhet të dalë me atë kopertinë revista satirike franceze, edhe pas asaj që ndodhi? A duhen botuar karikaturat e “Charlie”-t? A duhet të ketë një çfarëdo reflektimi, apo më saktë vetëfrenimi, në këtë stoicizëm profesional, që ka kushtuar jetë njerëzish dhe acarim nervash në të gjitha paralelet e meridianët?
Më tej akoma, çështja shtrohet jashtë mureve të redaksive të medias. Çfarë duhet të bëjë Europa e sotme, në fakt Perëndimi, me 7 janarin që tronditi Francën dhe bashkë me të, edhe pjesën tjetër të globit? Kryebashkiaku i Roterdamit, një holandez me origjinë të qartë marokene (quhet Ahmed Aboutaleb), e ka një ide. Ai ka ftuar “të bëjnë valixhet gati, të gjithë ata që nuk e pëlqejnë Perëndimin”. Madje ka qenë shumë i “ngjyrosur” në fjalë, sesa kaq. Në krah të tij është vënë menjëherë kryetari kontrovers i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson.
Këto reagime nga “barku” i kontinentit të vjetër, janë një ndër shembujt e fortë të këtyre orëve, se sa fort dhe rëndë e ka goditur botën e pasur, masakrimi makabër i 17 gazetarëve, hebrenjve e njerëzve të thjeshtë në mes të kryeqytetit perëndimor të kulturës, Parisit. Por edhe sesa thellë dhe në brendësi është tronditur paqja europiane sot. Rritja e lëvizjeve ksenofobe si Pegida në Gjermani, ose tonet e ashpërsuara të Frontit Kombëtar në Francë apo partive të tjera të djathta, janë vetëm njëra anë e problemit. Shtatë janari ka futur në dilemë vetë filozofinë e bashkëjetesës mes feve dhe kombësive në Europën Perëndimore, e cila ka qenë një formulë magjike prej shumë dekadash në Francë, Gjermani e vendet e tjera të mëdha të kontinentit. Trysnia për një “zgjidhje tjetër” ndaj emigrantëve, myslimanëve e përgjithësisht të ardhurve, nuk ka qenë kurrë më e fortë se tani. E me zgjidhjen tjetër, nënkuptohet dora e fortë, përballja dhe përplasja. Një skenar që do të gëzonte shumë kokat e nxehta të radikalëve në Mosul apo Raka të Sirisë, të cilët janë edhe autorët e vërtetë të 7 janarit francez.
Liria e shtypit është një gur kilometrik në shoqëritë e sotme demokratike. Pa të, vetë ekzistenca e një demokracie është fasadë, iluzion. Por kur kolosët mediatikë në SHBA e Britani vendosin të aplikojnë një rrjetë autocensure mbi profesionin e tyre, kjo është një shenjë se problemi është më i komplikuar sesa duket. Formalisht CNN e BBC, apo edhe Nju Jork Tajms e Uashington Post kanë deklaruar se po përpiqen të mbrojnë korrespondentët e tyre në zonat e luftës, por duket se sulmi mbi “Charlie Hebdo” ka prodhuar një ndjenjë të kuptueshme frike në shoqërinë e sotme perëndimore. Së cilës i bashkëngjitet natyrshëm edhe dilema tjetër, po aq serioze dhe hamletiane: a duhet të ketë vërtet një shtyp më të përgjegjshëm e më pak të skajshëm se ai i gazetarëve francezë? Këta të fundit, sot e kanë dhënë përgjigjen e tyre. Tani i takon pjesës tjetër të botës të reflektojë.
Top Channel