Nishani pret trupin diplomatik: Integrimi kërkon shtet ligjor

14/01/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani ka mbajtur pasditen e së mërkurës në selinë e Presidencës, pritjen tradicionale të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Në fjalën e tij Nishani ka falenderuar të pranishmit për mbështetjen dhe asistencën e ofruar nga vendet që ata përfaqësojnë.

Kreu i shtetit ka folur edhe për ngjarjet tragjike të javës së kaluar në Paris, duke shprehur solidaritetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për ambasadorin francez dhe vendin e tij.

Integrimi evropian ka qenë në fokus të fjalimit të zotit Nishani, i cili ka vlerësuar se vendi ynë ka bërë progres në këtë rrugëtim, edhe pse rruga është ende e gjatë.

Kreu i shtetit është shprehur i vetëdijshëm se në këtë drejtim duhet të realizohen patjetër reformat në ekonomi, në sistemin e drejtësisë, në sistemin shëndetësor dhe atë arsimor, për të mos harruar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe forcimin e institucioneve demokratike.

“Në këtë optikë, vendosja e shtetit ligjor sot e gjithë ditën, maturimi në politikëbërje në standardin evropian dhe angazhimi më aktiv civil janë sfida sa të hershme aq edhe kokëfortësisht aktuale të vendit”, ka thënë Nishani.

Më tej, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si SHBA ashtu edhe BE, Nishani e ka cilësuar një “shtyllë qendrore të politikës së jashtme” të Tiranës, sikurse dhe fqinjësinë e mirë me vendet e rajonit.

Top Channel