Rusia përforcon aftësitë luftarake në Krime, Arktik dhe Kaliningrad

13/01/2015 00:00

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus ka njoftuar gjatë së martës se do të përforcojë aftësitë luftarake gjatë këtij viti në Krime, në Arktik dhe në rajonin më perëndimor të Federatës Ruse, Kaliningrad, i cili kufizohet me dy shtete aleate të NATO-s.

Deklarata e Gjeneralit Valery Gerasimov, shef i Forcave të Armatosura ruse, priten të thellojnë shqetësimet në Perëndim mbi atë që vendet e NATO-s e konsiderojnë si një shfaqje gjithnjë e në rritje të “muskujve” nga ana e Rusisë, që prej nisjes së krizës në Ukrainë.

Ndërkohë, komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s, Gjeneral Philip Breedlove, ka bërë të ditur se aleanca atlantiko-veriore ka kohë që është fokusuar në përshkallëzimin e stërvitjeve ushtarake në rajonin e detit Baltik, në kundërpërgjigje të manovrave ushtarake në rritje të Rusisë gjatë vitit të kaluar.

“Në vitin 2015, Ministria e Mbrojtjes do të fokusojë përpjekjet e saj në rritjen e aftësive luftuese të njësive të saj, si dhe në rritjen e forcës luftarake në përputhje me planet e zhvillimit të ushtrisë”, tha Gerasimov për gazetarët rusë.

“Një vëmendje e veçantë do t’i jepet grupeve në Krime, në rajonin e Kaliningradit dhe në Arktik”, është cituar të ketë thënë ai nga agjencitë ruse të lajmeve, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Komentet e tij vijnë pas miratimit të një doktrine të re ushtarake të nënshkruar nga Presidenti Vladimir Putin në dhjetor, e cila nënvizon nevojën për të mbrojtur interesat e Rusisë në Arktik dhe identifikon zgjerimin e NATO-s si një rrezik të madh të jashtëm.

Çdo prani ushtarake pranë kufijve të NATO-s në Kaliningrad, një enklavë që kufizohet me Poloninë dhe Lituaninë, sigurisht që e shqetëson së tepërmi aleancën ushtarake perëndimore, ndërkohë që pasuritë minerare dhe rezervat e mëdha të energjisë në Arktik sigurojnë pretendime ndaj këtij territori prej shumë vendesh.

Rusia ka dërguar 14 avionë ushtarakë në Krime gjatë nëntorit të kaluar, si pjesë e një skuadroni prej 30 të tillë që do të stacionohen atje, duke bërë të qarta synimet e saj për të forcuar prezencën në gadishullin e aneksuar prej Ukrainës, marsin e vitit 2014.

Breedlove paralajmëroi gjatë asaj kohe se “militarizimi” i Krimesë nga ana e Rusisë do të shfrytëzohej si pretekst për të ushtruar kontrollin në Detin e Zi. Ai tha gjatë së martës se NATO ka marrë në konsideratë adaptimin e një programi të stërvitjeve ushtarake në rajonin e detit Baltik, ku aktivitetet ruse kanë ndryshuar natyrë apo karakter, duke treguar aftësi të pashfaqura më parë.

“Seria e parë e ndryshimeve nuk do të jetë rritja në sasi, por grupimi i forcave së bashku. Për të përgatitur më mirë forcat tona dhe për t’u lejuar kombeve të punojnë së bashku si një forcë e NATO-s, por gjithashtu synojmë edhe rritjen e disa stërvitjeve ushtarake”, tha Breedlove nga baza e NATO-s në Szczecin (Shçecin) të Polonisë.

NATO ka forcuar prezencën ushtarake në Europën Lindore, pasi ka thënë se ka prova të konsiderueshme se Rusia ka orkestruar dhe ka armatosur rebelimin në lindje të Ukrainës, pas rrëzimit të Presidentit ukrainas të mbështetur prej Kremlinit. Putin u shpreh atëherë se Rusia nuk përbën rrezik ndaj askujt, si dhe mohon të ketë dërguar trupa apo armë në mbështetje të separatistëve.

Top Channel