Francë, Valls: Jemi në luftë me terrorizmin. Asambleja miraton zgjerimin e fushatës kundër ISIS në Irak

13/01/2015 00:00

Ligjvënësit francezë, të mbledhur për herë të parë që pas ngjarjeve të javës së kaluar, e nisën seancën parlamentare me një minutë heshtjeje në nder të 17 viktimave të terroristëve brenda e jashtë selisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”, përpara se të këndonin edhe himnin kombëtar “Marsejezën”.

Duke folur përpara Asamblesë Kombëtare, kryeministri Manuel Valls tha se terroristët dëshironin të vrisnin “shpirtin e madh francez”, përpara se të shtonte: Por Franca ende qëndron heroike, është këtu, është sërish e pranishme.

Duke iu referuar marshimit të unitetit të mbështetur nga miliona pjesëmarrës si një “përgjigje të mrekullueshme” ndaj dhunës, ai lëshoi edhe alarmin: Franca është në luftë me xhihadizmin dhe terrorizmin, por kurrsesi në luftë me Islamin dhe muslimanët.

Ndërkaq, ministri francez i Mbrojtjes ka deklaruar këtë të martë se luftëtarët e Shtetit Islamik duhen shfarrosur, duke këmbëngulur gjithashtu se Parisi nuk do të tërhiqet nga operacionet ushtarake përtej kufijve të saj, pavarësisht vrasjes së 17 personave të pafajshëm nga duart e militantëve të rritur në Francë javën e kaluar.

Pas Shteteve të Bashkuara, Franca ka numrin më të madh të avionëve dhe trupave të përfshira në koalicionin që lufton Shtetin Islamik, i cili gjatë vitit të kaluar mori në kontroll pjesë të konsiderueshme në Irak dhe Siri. Parisi ka gjithashtu edhe 3500 trupa e forca speciale, që operojnë në rajonin “Sahel-Sahara”, në Afrikën Veriore, të cilët janë vënë në “gjueti” të militantëve të Al Kaedës.

Franca ndërhyri në Mali për të rrëzuar militantët islamikë nga ish-kolonia e saj në janar të 2013-s, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, thekson se dy vjet më pas forcat franceze duhet të luftojnë “të njëjtin kërcënim” tashmë në atdheun e tyre.

Parlamenti francez votoi më pas, me 488 vota pro dhe vetëm 1 kundër, në mbështetje të zgjerimit të misionit ushtarak të Francës në Irak, 4 muaj pas nisjes së tij.

Top Channel