Pendohet autori i videos së vrasjes së policit

12/01/2015 00:00

Videoja që tregon vrasjen e një oficeri policie nga njëri prej vëllezërve Kouachi pas sulmit në redaksinë e ‘Charlie Hebdo’ jo vetëm që hapi debate etike mbi shpërndarjen e imazheve në rrjetet sociale, por ka bërë që të pendohet edhe autori i regjistrimit, i cili tani është i bindur që ka vepruar gabim.

Jordi Mir, inxhinier francez 50-vjeçar me origjinë nga Katalunja i cili regjistroi pamjet, tha për ‘AP’: “Isha i frikësuar shumë. Nuk prisja të xhiroja një brutalitet të tillë. Mendoja se nuk do të shkonte puna deri aty. Isha vetëm në shtëpi dhe doja të flisja me dikë për atë që pashë. Për këtë arsye e postova në Facebook videon. Bëra gabim.”

50-vjeçari e hoqi postimin e tij brenda 15 minutash, por videoja ishte marrë tashmë dhe qarkullonte në rrjetet sociale dhe mediat e të gjithë botës.

Mir i kërkon falje familjarëve të policit të vrarë: “Më vjen shumë keq dhe dua që ta dinë se bëra të pamundurën që ajo video të mos shpërndahej. Por, shumë e shpërndanë pa lejen time.”

Top Channel