Të dielën mbërriti në Tiranë, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, Donald Lu. I shoqeruar nga familja tij, zoti Lu, u prit në
aeroport nga stafi i Ambasadës.
Rreth 60 minuta përpara mberritjes së avionit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në terminalin VIP mbërritën 6 oficerët e shoqërimit dhe pak minuta më pas, shefja e Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun Valerie O’Brien shoqëruar nga një bashkëpunëtor shqiptar dhe një amerikan.
Për t’i uruar mirëseadhjen atij, që do të jetë në krye të misionit diplomatik amerikan në Shqipëri,mbërriti edhe numri dy i ambasadës amerikane Henry V. Jardine, i cili ishtë personi i parë që pas zbritjes nga shkallët e avionit Donald Lu shtrëngoi duart. Pas një qëndrimi 20 minutësh në ambientet e ‘Marubi Lounge’, Lu iu drejtua kryeqytetit. Përpara kësaj ambasadori për Top Channel tha: “Është një privilegj i madh për mua që jam këtu në Shqipëri vendin e shqiponjave. Familja ime edhe unë presim me kënaqësi të njohim shumë prej jush dhe vendin tuaj të bukur”.
Eskorta më pas iu drejtua kryeqytetit, aty ku Donald Lu do të gjejë një ambient politik të polarizuar, madje do t’i duhet të përballet edhe me pakënaqësitë e prodhuara nga deklaratat kritike ndaj të djathtës prej paraardhësit Alexandër Arvizu apo hatërmbetjet e të majtës për cilësimin nga Arvizu të Berishës “burrë shteti” pak ditë pasi ai kishte mbërritur në Tiranë.
Dy ditë përpara mbërritjes në Tiranë, ambasada amerikane publikoi një video-mesazh prezantimi të ambasadorit të ri i paprecedentë dhe unikal në llojin e tij pas rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, në vitet 90.
Karriera diplomatike në DASH e Lu ka nisur në vitin 1990 duke shërbyer në Pakistan, Indi, Gjeorgji, Kirgistan, Azejbaxhan dhe Uashington.
Pas një pritje të gjatë më shumë se një vit ambasadori i ri amerikan Donald Lu mbërriti në Tiranë për të nisur misionin e tij diplomatik. Por sa i lehtë apo i vështirë do të jetë ky mision krahasuar me paraardhësit e tij John Withers apo Alexandër Arvizu? Kjo vlen për t’u parë.
Top Channel