Pse unë jam “Charlie”?!

11/01/2015 00:00

Ilir Yzeiri – Atentati i përgjakshëm mbi redaksinë e “Charlie Hebdo”-s vijon ta mbajë botën të mbërthyer në një pezëm tragjik.

Pjesa më e madhe e analistëve kanë parë në këtë atentat hijen e zezë të 11 shtatorit dhe pothuajse të gjithë kanë përsëritur se tani jo vetëm Franca, por gjithë bota, nuk do të jetë më si më parë. Është rikthyer edhe një herë në vëmendje fantazma e Mesjetës dhe është ringjallur përsëri urrejtja që lind nga imazhi, prej simbolit. Vrasja makabre e gazetarëve të gazetës satirike franceze na kthen në kohën më të errët të Inkuizicionit dhe terrorit fetar. Sipas mendimit tim, tani ne po shohim qartë se dy qytetërimet e mëdha, kristianizmi dhe islamizmi radikal kanë një diferencë në kohë prej qindra vjetësh. Ata që kryen masakrën mbi gazetën satirike “Charlie Hebdo” janë fantazmat e Mesjetës që kanë në vetëdije interpretimin radikal të Islamit. Po ta vështrosh nga një anë tjetër, do të vëresh se tërbimi i tyre vjen nga imazhi. Karikaturistët e “Charlie Hebdo”–s kanë pasur për një kohë shumë të gjatë objekt të satirës së tyre Vatikanin dhe Papën sidomos. Të mësuar me lirinë për të mos respektuar asnjë institucion, por për t’i parodizuar të gjithë, ata, siç thoshte Edgar Morin, në një editorial të “Le Monde”, e kishin shpallur veten periodikja e irespektit. Një lloj qëndrimi që e përkthente gjithçka serioze dhe të shenjtë në pamjen qesharake, duke bërë kështu që, përmes së qeshurës, ne të mund të shkrinim akujt e qëndrimit ndaj së kaluarës, ndaj asaj që e shpallim të paprekshme dhe të shenjtë. Europa e ka paguar shtrenjtë këtë liri. Veçanërisht femrat europiane dhe dijetarët që dëshironin të reformonin dogmën e pësuan tragjikisht. Në një kuptim, vdekja për shkak të idesë apo të imazhit është një gjë e njohur për europianët, të cilët u ndanë nga kjo barbari para më shumë se dy shekujsh. Sot kultura islame nuk pranon që të preket dhe të paraqitet imazhi i profetit Muhamet. Nga paraqitja e tij në karikaturë, asnjë mysliman nuk ndihet mirë, por islamikët radikalë e quajnë këtë një blasfemi të rëndë dhe prej kohësh kanë zgjedhur si kundërvënie vdekjen. Dalja në skenë e ISIS-it është kulmi i radikalizimit të islamit dhe grupet e tjera terroriste që veprojnë në emër të Islamit dhe masakrojnë popullsinë e tyre siç bënte këto ditë edhe Boko Haram në Nigeri, janë pararoja e një Inkuizicioni islamik, të cilin Umberto Eko e quante nazizmi i zi. Sot është e kollajtë të fajësosh Europën dhe kapitalizmin për armikun e padukshëm që ka në gji. Ringjallja e partive ksenofobe të djathta në Europë është një përgjigje e dëshpëruar për të përballuar këtë tragjedi. Integrimi i joeuropianëve në hapësirën perëndimore të qytetërimit duket se nuk është një dukuri e lehtë, sepse në botë, krahas globalizimit dhe zhdukjes së kufijve gjeografikë, po rishfaqen muret e dallimeve etnike dhe religjioze, po rishfaqet e përndezur tragjikisht hera-herës përmasa e identifikimit kulturor dhe njeriu përballë krizës në rritje, përpiqet të gjejë ngushëllim duke u mbështjellë me batanijen e trashë dhe me erë të rëndë të identitetit nacional dhe fetar. Bota mund të bashkojë tregjet, vendet, mund të heqë kufijtë doganorë, taksat, por edhe për një kohë të gjatë do ta ketë të vështirë të unifikojë shijet dhe preferencat, sjelljen apo kulturën e re të qëndrimit ndaj institucioneve të besimit.
 
***

Nga shumë shkrime të botuara këto ditë më tërhoqi vëmendjen ai me titull “’Kërcënimi’ nga myslimanët e Ballkanit nuk u bë kurrë realitet”, shkruar nga Marcus Tanner, redaktor i “Ballkan Insight”, botuar në gazetën Tema online (9.01.2015). Përmes një vëzhgimi të hollë, ai konstaton se të gjitha sulmet terroriste në Europë nuk kanë pasur asnjëherë për autor ndonjë celulë apo person mysliman nga Ballkani. Ai mendon se këta myslimanë të vjetër të Europës e ndiejnë veten europianë dhe janë më tepër pranë vlerave të kontinentit të vjetër si banorët më të hershëm të tij. Por paragjykimi për ta duket se ka qenë i kotë, thotë ai. Dhe kjo është një e vërtetë e padiskutueshme. Ky fakt, duhet të rimerret fort sidomos nga ne shqiptarët dhe ne, ashtu siç tha edhe Papa Françesku, duhet të bëhemi një model dhe pikë referencë për botën në kaos, në ankth e në frikë të vazhdueshme. Ne, shqiptarët, që më së shumti kemi vuajtur nga karagjozët e elitave politike që na kanë hipur në kurriz, nuk kemi ditur kurrë t’i tregojmë botës se jemi bartës të një kulture të thellë europiane. Harmonia jonë fetare dhe toleranca që kemi ne për tjetrin e ndryshëm nga ne për shkak të ngjyrës së lëkurës, besimit apo krahinës, janë vlera që i kanë rrënjët thellë në kulturën laike e pagane të kontinentit të vjetër. Ne, shqiptarët e kemi provuar më shumë se asnjë komb tjetër dhunën dhe terrorin për shkak të imazhit. Mjaft të sjellim në vështrim terrorin e pashembullt që është ushtruar mbi gjuhën shqipe, mbi shkronjat shqipe dhe do të bindemi se ne kemi të drejtë të shpallim se sot “Jemi Charlie”. Ata plumba që u derdhën mbi gazetarët e “Charlie Hebdo”-s janë jehona e trishtë e helmit apo plumbave që kanë përshkuar trupat e martirëve tanë si Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani e të tjerë, të cilët guxonin të shfaqnin imazhin e shkronjave shqip. Nuk jam i sigurt, por nuk kam dëgjuar e lexuar që ndonjë komb tjetër të jetë masakruar siç jemi masakruar ne shqiptarët për shkak të përdorimit të gjuhës shqipe. Nuk kam dëgjuar, por nuk e di të ketë ndonjë rast tjetër në historinë e një kombi që gjuha e tij të ndalohet me dekret të posaçëm perandorak, siç ndodhi me gjuhën shqipe. Për të gjitha këto, unë jam Charlie, sepse e di se ç’do të thotë të sakrifikosh për imazhin, për lirinë. Gazetarët e “Charlie Hebdo”-s ishin dhe do të mbeten pararoja e asaj që thoshin filozofët e shekullit XX se Perënditë vdiqën, në kuptimin që vdiq adhurimi i verbër për imazhin e ngrirë të besimit. Ata nuk e morën seriozisht kërcënimin e ardhur nga Mesjeta e errët dhe e paguan me jetën e tyre çmimin e buzëqeshjes që donin të na jepnin ne si model për jetën në krizë. Sot, bota e gjithë është në ngërç e në ankth. Besimi islam dhe bartësit e tij mund të identifikohen shumë lehtë me të keqen. Ne shqiptarët, ashtu si edhe myslimanët e tjerë të Ballkanit apo edhe ata në vende të tjera, jemi shembulli se harmonia fetare mund të ekzistojë, ashtu sikundër radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi me veshje fetare, që ka marrë edhe forma të organizuara politike, duhet të përballohet me forcë dhe me vendosmëri dhe jo me gjysmë force dhe me gjysmë vendosmërie siç ka ndodhur deri tani.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA