Paris, Marshimi i Unitetit, mbi 1 milion njerëz kundër terrorizmit

11/01/2015 00:00

Ashtu siç pritej, marshimi i solidaritetit kundër terrorit mblodhi në Paris më shumë se një milionë vetë, duke kapërcyer për nga përmasat të gjitha tubimet e së shtunës të marra së bashku.

Në rreshtin e parë të ‘lumit’ njerëzor të nisur nga “Place de la Republique” ishin të afërm të viktimave të tre ditëve të terrorit që përjetoi Franca këtë jave. Po aty qëndronin dhe liderët botërorë, ndër të cilët ata britanikë, turq, jordanezë, izraelitë e palestinezë, ndërsa në qendër shtrëngonin krahët me njeri-tjetrin Presidenti francez, François Hollande dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Parisi, tha Hollande, është sot kryeqyteti i të gjithë botës.

Udhëheqësit mbajtën një minutë heshtje teksa marshimi fillonte dhe lidhja e krahëve, qe një akt i qartë solidariteti.

2.000 policë e 1.350 ushtarë, përfshirë këtu dhe trupa elitë e snajperë në çatitë e ndërtesave, ishin angazhuar për mbrojtjen e tubuesve, gjesti i të cilëve synoi të tregonte se nuk kanë frikë nga terroristët. Megjithatë,  për arsye sigurie, marshimi u nda në dy rrugë kryesore: të dy mitingjet nisën në “Place de la Republique” e përfunduan në “Place de la Nation”.

Marshuesit thërrisnin “liri” dhe “Charlie”; një pjesë e tyre valëvisnin flamuj francezë, të tjerë këndonin himnin kombëtar. Me mijëra vetë demonstruan më herët kundër sulmeve edhe në Marseille, qyteti me popullsinë më të madhe myslimane në Francë. Njerëzit, thanë zyrtarë lokalë, kanë dalë këtu të tregojnë se mbështesin tolerancën dhe bashkëjetesën.

Vetëm pak përpara eventit gjigand, u publikua videoja e autorit të sulmit në supermarket, Amedy Coulibaly, i cili zotohet për aleancë me Shtetin Islamik. Në filmim, ai thotë se ka punuar me sulmuesit e “Charlie Hebdo”-së, vëllezerit Kouachi, e pohon : E ndamë ekipin në dy pjesë për të rritur efektin e aksionit tonë. I jam zotuar për aleancë kalifatit, që kur u shpall në fillim, thotë Coulibali. Ajo që do të bëjmë është legjitime, duke pasur parasysh se çfarë na bëjnë ne. Ka kohë që e kanë merituar. Ju sulmoni kalifatin, sulmoni Shtetin Islamik dhe ne ju sulmojmë. Ju vrisni civilë vrisni luftëtarë, përse, sepse kanë përqafuar sheriatin. Kush jeni ju që vendosni çfarë ndodh në tokë. Ne do të luftojmë. Militantet po vijnë, ishin fjalët e tij. Përpos katër pengjeve në “Hyper Cacher”, Coulibaly besohet të jetë dhe njeriu që vrau oficeren e policisë në 8 janar.

“Ne do të vazhdojmë jetën si normalisht sepse nuk kemi përse të dorëzohemi përpara dhunës”, deklaroi Presidenti i Këshillit Përfaqësues të institucioneve hebraike, Roger Cukierman, pas takimit me François Hollande në pallatin Elize, ku Presidenti francez e garantoi për forcimin e masave të sigurisë në të gjitha institucionet hebreje në vend.

Ndërkohë, 5 personat e ndaluar në lidhje me sulmet janë lënë të lirë, sipas zëdhënëses së Prokurorisë së Parisit.

Kunati i Cherif Kouachi-se, Murad Hamyd, ishte dorëzuar vetë në polici, por u la i lirë e madje dhe e ka denoncuar sulmin e së mërkures si një krim të tmerrshëm e të neveritshëm.

Pas episodeve të dhunës në Paris, kryeministri britanik, David Cameron do të takohet të enjten e ardhshme me Presidentin amerikan, Barak Obama për të diskutuar mbi forcimin e masave anti-terror, të cilat përbëjnë dhe boshtin e samitit të ministrave të Brendshëm nga e gjithë Europa, të mbajtur në Paris.

 

Top Channel