Gjermani, tjetër seli gazete përfshihet nga flakët, digjet arkiva

11/01/2015 00:00

Ndërkohë që Parisi përgatitet për marshimin masiv për nder të viktimave të sulmit vdekjeprurës në selinë e revistës satirike “Charlie Hebdo”, ndërtesa e një tjetër gazete gjermane, “Hamburger Morgenpost”, ka qenë shënjestër e një ofensive me zjarrvënie, ndërkohë që dy të dyshuar janë arrestuar, bën të ditur policia gjermane gjatë së dielës.

Ashtu sikurse dhe shumë gazeta të tjera gjermane, “Hamburger Morgenpost” ka publikuar karikaturat e revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”, pas sulmit vdekjeprurës të së mërkurës në Paris.

Një zëdhënëse e policisë gjermane tha se një mjet nxitës zjarri është hedhur në selinë e gazetës përgjatë natës, ndërkohë që dokumentet e arkivës raportohen të jenë djegur brenda saj. Dy të dyshuar janë arrestuar pranë vendngjarjes, pasi ata u sollën në një mënyrë të pazakontë, shton ajo.

Gazeta njoftoi përmes faqes së saj të internetit se nuk ka pasur njerëz brenda ndërtesës kur ndodhi ngjarja. Ende nuk bëhet e ditur nëse sulmi zjarrvënës ka qenë i lidhur me karikaturat e “Charlie Hebdo”, por hetimet janë duke u zhvilluar për këtë çështje, shtoi në njoftimin e saj gazeta gjermane.

Policia njoftoi gjithashtu se hetimet janë ndërmarrë tashmë nga forcat e sigurisë shtetërore dhe pritet të dilet së shpejti në një konkluzion.

Top Channel