Thellohet përplasja, Nishani rikthen ligjin për Gjykatën e Lartë

09/01/2015 00:00

Presidenti Nishani ka rikthyer për rishqyrtim ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, miratuar nga mazhoranca në seancën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar.

Presidenti arsyeton rikthimin për shqyrtim nga Kuvendi me mungesën e konsultimeve dhe gjithëpërfshirjes në këto ndryshime.

“Ligji nuk është konsultuar më parë me Presidentin e Republikës sikur pretendohet dhe duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës.

Sipas Presidentit ndryshimet nuk përmbushin pritshmëritë e Komisionit të Bashkimit Europian, referuar këtu progresraportit më të fundit dhe kërkon ndryshime kushtetuese, nuk respektojnë parimin e luajalitetit kushtetues dhe kriteri i notës mesatare mbi 8 në Shkollën e Magjistraturës për kandidatët, sipas Presidencës, nuk justifikohet.

Pika më e fortë e kundërshtimit të Presidentit është Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë, një strukturë e parashikuar të ngrihet me ndryshimet e votuara në parlament në seancën e dhjetorit. Sipas Presidentit Nishani, ngritja dhe kompetencat e këtij këshilli bien ndesh me nenin 136/1 të Kushtetutës.

Pas këtij vendimi të Presidentit pritet qendrimi i mazhorancës, nëse do të rishikojë ligjin, apo do të presë afatin kohor që drafti të shndërrohet në ligj pa asnjë ndryshim.

Një sinjal që propozimi nuk do të ndryshohet e ka dhënë kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i cili tha për Top Channel se priojektligji është transparent dhe në përputhje me Kushtetutën e të gjitha emërimet duhet të kryhen nën frymën e tij.

Top Channel