Letoni, Kolegji i Komisionerëve të BE do të rishikojë raportet me fqinjët në Lindje

09/01/2015 00:00

Mbledhja e parë e 2015-s për Kolegjin e Komisionerëve u mbajt në Riga dhe nisi me një minutë heshtje për viktimat e sulmit terrorist në Paris.

Prej 1 janarit, Letonia mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian për 6 muajt e ardhshëm. Objektivi i saj parësor është rishikimi i politikës së fqinjësisë, veçanërisht në lindje, por dhe në jug të Unionit.

Megjithëse thekson “rëndësinë strategjike të zgjerimit, për stabilitetin politik dhe perspektivën ekonomike të Europës”, Presidenca e re e BE-së angazhohet për vazhdimin e negociatave me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë, ndërsa për reston e vendeve të tjera të kësaj pakete kujton “parimin e kushtëzimit”, bazuar në meritat individuale për përmbushjen e kritereve.

“Ky parim do të udhëheqë punën e Presidencës për avancimin e perspektivës europiane të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas fazës respektive të integrimit të tyre, me qëllimin final anëtarësimin në Bashkimin Europian”, shkruhet në dokumentin strategjik letonez.

Krahas politikës së fqinjësisë, në krye të axhendës 6-mujore të Unionit qëndron zhvillimi i qëndrueshëm përtej 2015-s, barazia gjinore, forcimi i partneritetit tregtar me SHBA-të, Kanadanë dhe Japoninë, si dhe strategjia e BE-së me Azinë Qendrore për sigurinë, menaxhimin e kufijve, dhe ofertën energjetike.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel