Kuba liron 36 të burgosur të tjerë, SHBA e përshëndet

09/01/2015 00:00

Një prej grupeve më të njohura të disidentëve të Kubës ka bërë të ditur gjatë së premtes se 36 aktivistë opozitarë, përfshi një artist tepër popullor të hip-hopit, janë liruar gjatë dy ditëve të fundit si pjesë e marrëveshjes për të përmirësuar marrëdhëniet mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara.

Unioni i disidentëve Patriotikë të Kubës (UNPACU) njoftoi se 29 prej anëtarëve të saj ishin mes të liruarve, dhe se shumica prej tyre ishin paralajmëruar nga qeveria komuniste se mund të riktheheshin sërish në burg nëse vijonin aktivitetet e tyre opozitare.

“Të burgosurit tanë janë të vendosur të vazhdojnë luftën për një Kubë demokratike, të cilën e dëshirojnë të gjithë”, tha lideri i UNPACU, Jose Daniel Ferrer, në një deklaratë. “Aktivistët e UNPACU lanë burgjet me më shumë energji, forcë dhe motivim se sa kanë pasur përpara se të burgoseshin”.

Angazhimi i Kubës për të liruar 53 të burgosur është pjesë e marrëveshjes historike të publikuar më 17 dhjetor, në bazë të së cilës qeveritë kubaneze dhe amerikane ranë dakord për të rinovuar marrëdhëniet diplomatike pas më shumë se 50 vitesh armiqësi.

Shtëpia e Bardhë e mirëpriti këtë lajm gjatë së premtes, teksa zv.këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Ben Rhodes, tha:

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin lirimin e konsiderueshëm dhe të vazhdueshëm të të burgosurve në Kubë, është gjithnjë lajm i mirë të shohësh njerëzit të ribashkohen me familjet e tyre”, tha Rhodes përmes një postimi në Twitter.

Top Channel