Francë, 88 mijë agjentë dhe helikopterë për kapjen e autorëve të masakrës

09/01/2015 00:00

Franca vazhdon të jetë nën tension deri sa të bëhet i mundur arrestimi i dy vëllezërve Kouachi, të cilët dyshohen si autorët kryesorë të masakrës në revistën satirike “Charlie Hebdo”.

Operacioni i kërkimit për vëllezërit terrorist është fokusuar në zonën veriore të Francës, në Picardy, ku është gjetur i braktisur edhe automjeti me të cilin ata dyshohet se kanë lëvizur.

Policia po kontrollon të gjitha banesat në zonë, duke bllokuar kështu edhe rrugët. Autoritetet franceze kanë angazhuar 88 mijë forca policie, të cilave i janë bashkuar helikopterë të shumtë, të cilët nëpërmjet një patrullimi nga ajri do të mund të bëjnë kërkim nëpër pyjet e zonës malore, pasi Picardy ka shumë të tillë që  atentatorët do mund t’i përdorin si strehë.

Gazetari i “RFI”, Artan Kutra në një lidhje telefonike në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” u shpreh se ekziston frika që dy personat e dyshuar si autorë të sulmin mund të kalojnë kufirin me Belgjikën dhe për këtë arsye forcat e rendit janë përqendruar në të gjithë perimetrin e kësaj zone në veri të Francës. Gjatë operacionit të kërkimit në veri, në jug të Francës një bombë ka shkaktuar shpërthimin e një makine, ku nuk është lënduar asnjeri.

Autoritetet ende nuk kanë patur ndonjë kontakt të afërt me Cherif dhe Said Kuashi. I vetmi person i cili ka dëshmuar  rreth kontaktit me vëllezërit, ishte punonjësi i një stacioni gazi pak kilometra larg Parisit. Aty terroristët pasi ishin furnizuar me ushqim dhe karburant ishin larguar pa paguar.

Ndërkohe, ka rezultuar i rremë lajmi se dy vëllezërit franko-algjerianë Cherif dhe Said Kouachi ndodhen në lokalitetin Longpont, rreth 70 kilometra në veri të Parisit, të mbyllur në një shtëpi dhe të rrethuar nga policia. Lajmin e ka përgënjeshtruar vetë xhandarmëria franceze.

Në të gjithë Francën masat e sigurisë janë ngritur në maksimum dhe po ashtu niveli i rrezikut nga sulmet terroriste. Pallati presidencial Elize, por edhe redaksi të ndryshme mediatike e qendra tregtare janë “të blinduara”.

Në to vihet re një prani e shtuar e agjentëve të policisë dhe njësive ushtarake, të armatosura dhe të gatshme për çdo situatë.

Më herët gjatë së enjtes i dyshuari i tretë i ngjarjes që u mori jetën 12 personave, që mendohet se ka qenë shoferi i automjetit të atentatorëve, u vetëdorëzua.

Top Channel