Durrës, shpërthen bombula e gazit, humb jetën një i moshuar. Zjarr edhe në zyrën e OSHEE

09/01/2015 00:00

Një i moshuar ka humbur jetën në Durrës gjatë orëve të vona të ditës së enjte, pasi në banesën e tij ka shpërthyer bombula e gazit.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr 1 të qytetit, ndërsa bëhet e ditur se i moshuarit jetonte vetëm në banesën dy katëshe. Identiteti i tij ende nuk është bërë i ditur.

Pas shpërthimit të bombulës, banesa e cila ndodhet pranë mureve të kalasë, është përfshirë nga flakët. Forca të shumta të policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për lokalizimin e flakëve.

Mbrëmjen e së enjtes u përfshi nga flakët edhe zyra kryesore e Kujdesit ndaj Klientit të OSHEE-së në qytetin e Durrësit. Edhe kjo ngjarje ndodhi në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar, pranë hyrjes kryesore të portit detar.

Nga zjarri nuk pati të lënduar, por dëme të konsiderueshme materiale në të dyja katet e zyrës, ku është dëmtuar edhe sistemi i kompjuterave dhe dokumentacioni. Nuk bëhet e ditur nëse brenda zyrës në flakë ndodheshin edhe paratë e arkëtuara nga debitorët gjatë ditës. Me ndërhyrjen e zjarrfikëseve, u shmang rreziku që i kanosej subjekteve të tjera fqinje me Zyrën e Kujdesit ndaj Klientit, si dhe kateve të tjera të godinës shumëkatëshe, ku është vendosur ajo, ndërsa policia ka kryer veprimet e para proceduriale për të zbardhur shkaqet e këtij zjarri, si dhe përgjegjësitë për të.

Paraprakisht dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike në një nga kompjuterat, por nuk përjashtohet dhe një zjarrvënie e qëllimshme ose nga pakujdesia.

Top Channel