Ekstradohet nga Greqia Sokol Përmarkaj, një nga autorët e masakrës së Pukës

08/01/2015 00:00

Interpol Tirana ekstradoi nga Greqia 36-vjeçarin Sokol Përmarkaj.

Përmarkaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim.

Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën në fshatin Qelëz të Pukës, më 28 qershor 2012. Tre vëllezërit Përmarkaj, bashkë me djalin e xhaxhait të tyre, i dolën para familjes Markaj, duke tentuar shuarjen e tyre, për shkak të një konflikti pronësie që kishte nisur kohë më parë mes dy fiseve. Gjykata e Shkodrës, i ka dënuar me burgim të përjetshëm dy vëllezërit Anton dhe Sokol Përmarkaj, ndërkohë që janë dhënë 25 vjet burg për vëllain e tretë, Bardhok Përmarkaj dhe 23 vjet burg për Fran Përmarkajn, i cili është djali i xhaxhait të tyre.

Të katërt janë cilësuar nga gjykata si autorë të masakrës së ndodhur më 29 qershor të vitit 2012 në Qelëz të Pukës, ku mbetën të vrarë Paulin dhe Hilë Markaj, ndërsa u plagosën rëndë bashkëshortet e dy viktimave, Tone Markaj dhe Angjelina Markaj. Po ashtu, u plagos edhe Alfons Markaj, i cili është nipi i Paulinit. Nga hetimi ka rezultuar se familjet Markaj dhe Përmarkaj, banorë të lagjes Marrdhnaq në fshatin Qelëz të Pukës, prej disa vitesh kanë pasur konflikt për një sipërfaqe toke në pronësi të Mark Kolgjokajt, i cili ia kishte dhënë në përdorim familjes “Përmarkaj“. Për këtë pronë, familja Markaj nuk ka qenë dakord. E për pasojë, mes dy familjeve ka lindur konflikte të ashpra, që çuan deri në vrasjen e dy persona e plagosen tre të tjerë.

Top Channel