Basha pret raportuesin Knut Fleckenstein

08/01/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein në një takim ku u diskutua mbi zhvillimet shqetësuese në vend.

Basha tha se çdo ditë e më shumë bëhet i nevojshëm dekriminalizimi dhe ngjarjet e fundit në Tiranë, nxorrën zbuluar lidhjet qeveritare të një bande të rrezikshme kriminale. Kryetari i Partisë Demokratike e informoi Fleckenstein për paligjshmërinë me të cilën qeveria po cënon të drejtën e pronësisë së qytetarëve, duke shembur objektet në zotërim të ligjshëm, në kundërshtim me procedurën ligjore, duke u mohuar pronarëve ankimimin gjyqësor.

Basha e njohu eurodeputetin me arbitraritetin që po manifeston qeveria me aksionet policeske ndaj qytetarëve të pamundur, çka ka sjellë shpesh pasoja dramatike në humbje jete dhe në ndëshkime të papranueshme me errësirë edhe në ditët e ndërrimit të viteve për mijëra qytetarë të vendit. Paligjshmëria që po nxitet nga qeveria, tha Basha, ka sjellë një shkelje masive të të drejtave të njeriut në të gjitha nivelet e administratës.

Edhe një herë, Basha e denoncoi ndarjen teritoriale, si një hartë të interesave elektorale të dyshes Rama-Meta, kundër interesit kombëtar. Basha theksoi se nuk do të ketë zgjedhje me këtë hartë.

Basha tha se qeveria vazhdon me qasjen e njëanshme jo për të sjellë reformë në drejtësi, por për ta kapur atë, duke mos e futur në korsinë europiane, të gjithpërfshirjes, të qëndrueshmërinë e marrjes së konsensusit e ekspertizës së partnerëve ndërkombëtarë.

Top Channel