Al Kaeda përshëndet terroristët, publikon listën e 11 personave për ekzekutim

08/01/2015 00:00

Ndryshe nga e gjithe bota, Al Kaeda e përshëndeti sulmin e Parisit në revistën satirike “Charlie Hebdo”.

Për të mos u ndalur me kaq, pjesëtarët e grupit terrorist kanë nxjerrë në internet edhe një listë me emrat e personave që kërkojnë t’i ekzekutojnë. Pas masakrës së Parisit, emrit të drejtorit të revistës, Stephane Charbonnier i është vënë një kryq.

Lista titullohet “Të kërkuar për krime kundër Islamit” dhe qarkullon nëpër rrjete sociale.

Mes 11 njerëzve, që kërkohen nga Al Kaeda për t’u ekzekutuar, janë edhe politikani konservator holandez, Geert Wilders, si dhe Salman Rushdie, është një shkrimtar indiano-britanik. Rushdie, pas sulmit në “Charlie Hebdo”, kishte mbajtur qëndrimin e tij nëpërmjet një deklarate, ku thuhej: “Feja në formën e mosarsyetimit, kur kombinohet me armatim modern, bëhet një kërcënim real për liritë tona”.

Grupi terrorist i Al Kaedës paralajmëron botën për të tjera sulme të këtij lloji, duke thënë se ai i Parisit nuk do të jetë i fundit.

Top Channel