Arber Zaimi – Për dekada me radhë priti refugjatë, azilantë e klandestinë shqiptarë. Të parët prej tyre, aq larg sa gati të harruar, mund të quhen arbëreshët e Italisë, të arratisur për të mos pësuar hakmarrjen e mundshme të një perandorie së cilës i kishin rezistuar me sa mundën.
Europa e mërgatës
Në historinë më të vonë, në vitet ’70 e ’80, një valë shqiptarësh prej ish-Jugosllavisë u drejtuan për në Europë. Një pjesë të përndjekur politikisht, për shkak të pjesëmarrjes në organizimet e rezistencës, një pjesë të nxitur prej pamundësive ekonomike në atdheun e tyre të diskriminuar dhe të lënë të pazhvilluar prej regjimit diskriminues. Arratisja bëhej më e lehtë, meqë me “pasoshin” me yll, nuk kishin nevojë për vizë. Ekuacion i thjeshtë në sytë e pushtetit të atëhershëm, bëja shtëpinë të pajetueshme, lërja derën hapur dhe sigurisht që dikur do të dalë me vrap…
Mërgata e Kosovës në vitet ’70-’80 u integrua shpejt shoqërisht dhe ekonomikisht, në vende të forta si Gjermania, Skandinavia, Zvicra etj., pasi edhe Europa asokohe përjetonte kulmin e shtetit të saj të mirëqenies. Ata u bënë bazë për luftën çlirimtare, por edhe për valën më të madhe të emigrantëve në ’90, që përpiqeshin t’i shpëtonin gjakësisë millosheviçiane. Ata emigrantë edhe sot janë përgjegjës për mbijetesën e shumë familjeve në Kosovë, që rrojnë me remitancat e tyre.
Në vitet ’90, edhe shqiptarët e Shqipërisë u drejtuan nga Europa e mërgatës, duke u arratisur prej varfërisë ekstreme ku i pati hedhur izolimi në regjimin enverist. Qindra mijë, në mos miliona u drejtuan kah Europa. Por kohët kishin ndryshuar, kish filluar rënia e zhvillimit ekonomik dhe e shtetit social. Pjesa më e madhe e tyre nuk mbërriti të integrohet si duhet, dhe kryesisht zuri punë të pakualifikuar në vende me ekonomi jo të fortë, si Italia apo Greqia, gjë që sot po shkakton “riatdhesimin” e tyre në numra të mëdhenj. Gjithsesi edhe ata, me remitancat e tyre mundësuan mbijetesën e shumicës në Shqipëri në vite jo fort të lehta.
Europa e mërgatës u ka treguar fytyra të ndryshme shqiptarëve. U ka treguar kampet e refugjatëve në jug të Italisë apo në Hungari, u ka treguar kantieret e ndërtimit, nga Athina e gjer në Reikjavik, u ka treguar dyert e universiteteve nga Malta deri në Helsinki, por edhe muret e burgjeve, prej Irlandës e gjer në Spanjë. Në këtë Europë, herë të buzëqeshur e më tepër të vrenjtur, shqiptarët mundën të bëhen punëtorë, studentë, shkencëtarë, politikanë, artistë apo futbollistë, ashtu siç nuk do të mund të bëheshin dot në atdheun e tyre, as atëherë as sot. Shumë prej tyre ndoshta ende i mundon pyetja: Pse?
Europa kombëtare e Europianit
Mbase kombëtarja shqiptare e futbollit është projekti më i suksesshëm kombëtar, sot për sot. Jo për shkak të rezultateve, por për shkak të ngrohtësisë që ka prodhuar në zemrat e shqiptarëve, të cilëve gjithë kohës u thuhet prej “elitave” se bashkimi s’është i këshillueshëm, se është i dëmshëm, se ne nuk “jemi njësoj”, se ka më shumë leverdi të jemi të ndarë, se bashkimi nuk qenka i mundshëm, se “ëndrra e rilindësve” paska marrë fund, se sot jetojmë në kohë të interesave e jo në kohë të idealizmave, etj.
Kombëtarja e futbollit, për shkak të rrethanave, tregon se sa harmonik mund të jetë produkti i përbashkët shqiptar. Bashkëpunimi i sinqertë dhe entuziast i lojtarëve e kapërcen vullnetin e qeveritarëve të vendeve tona dhe të kryetarëve të federatave, të cilët kushedi, ndoshta habiten prej kësaj fuqie naive. Së cilës gjithsesi planifikojnë t’i bëjnë varrin, me themelimin e dy kombëtareve me justifikimin bajat “më mirë dy se një”, sepse kështu paska më shumë vend për egot dhe karrierat individuale të futbollistëve, e vetëkuptohet, edhe për ato të aparatçikëve. Të qe kjo logjikë, imagjinoni sa kombëtare mund të kish bërë Gjermania (e cila i kishte dy kombëtare cilësore para bashkimit, por edhe sot do të mund të nxirrte 10-15 skuadra më të forta se dy kombëtaret tona). Ose, imagjinoni sa “vota në OKB” do të mund të kishte Kina po të ecte me logjikën e qeveritarëve tanë që i gëzohen fuqisë lobuese të dy votave tona potenciale… Patetike.
Europiani i futbollit që do të luhet në 2016 është një synim i cili është më pak i rëndësishëm se sa procesi që e paraprin, ai i grupit eliminator. Në këtë grup deri më tani, Kombëtarja ka bërë paraqitje tepër të mira, duke fituar përballë favoritit kryesor. Përballë Serbisë, e njëjta Kombëtare na shërbeu për të rizbuluar përballë skeptikëve që thoshin se nuk ekziston më, solidaritetin tonë kombëtar, i cili nuk drejtohet kundër ndonjë kombi tjetër, nuk kërkon vrasjen a prerjen e ndokujt, por nuk e pranon dot më diskriminimin. Të gjithëve atyre që thoshin se “në Shqipëri nuk ka patriotizëm sa në Kosovë”, se ata “të Shqipërisë nuk e kanë problem Serbinë”, se populli në Shqipëri “e ka tejkaluar ndjenjën kombëtare dhe tashmë ekziston vetëm si bashkësi postmoderne individësh”, morën përgjigje nga Andi Lila, Bekim Balaj etj., dhe nga masat e grumbulluara në Rinas për të pritur kombëtaren. Të gjithë atyre të tjerëve që thoshin se “kosovarët” nuk e duan Shqipërinë, dhe se luajnë aty thjesht për pragmatizëm meqë nuk kanë kombëtare tjetër morën po ashtu përgjigje nga Taulant Xhaka, Lorik Cana etj.
Dikujt i duket e çuditshme se si rruga drejt Europianit ngjall ndjenjën kombëtare? Në fakt, ngjall atë që ka qenë gjithnjë gjall, por që me mundim e me projekt është synuar të mbulohet e pse jo të zhduket. Ngjall një ndjenjë aspak prehistorike, që nuk i përket vetëm “Ballkanit”, por, siç dëshmohet edhe nëpër kampionate europiane apo botërore, edhe Perëndimit. Cinikëve që e shpallin të vdekur idenë e përkatësisë së individit në një grup, dhe që i gëzohen faktit se ndonjë shqiptar zgjedh ndonjë kombëtare tjetër, pikërisht sepse kjo mbështetka tezën e tyre u përgjigjet lojtari më i shtrenjtë, rrjedhimisht edhe më modern që ka ekzistuar ndonjëherë, Gareth Bale. Ai ka zgjedhur Uellsin, një kombëtare të vogël, edhe pse e ka pasur mundësinë të zgjedhë kombëtare të mëdha, madje më të mëdha se Zvicra.
EUgosllavia
Cili është ai projekt vendesh që deklarativisht i njohin barazinë dhe singularitetin në bashkim njëra-tjetrës, por pastaj përfundojnë si në fermën e kafshëve, ku një a dy prej këtyre vendeve rezultojnë pak “më të barabarta se të tjerat” e si të tilla vazhdimisht imponojnë interesat e tyre kombëtare, duke iu mbivendosur të tjerëve me forcën e parasë? Dikush me prirje pak më të djathta do të thoshte menjëherë “Jugosllavia”, dikush me prirje pak më të majta do të thoshte “Bashkimi Europian”. Të dyja përgjigjet mund të jenë nga pak gabim e nga pak të sakta. Por meriton të meditohet mbi to, pa pretenduar të bëhet ndonjë barazim anakronik dhe asituacional.
Logjika e përdorur rëndom ia vesh fajin apo meritën për pabarazinë zgjedhjeve të bëra prej vendeve të caktuara në të shkuarën, duke justifikuar kështu pabarazinë. Dhe vërtet kështu do të ishte nëse do të kishim të bënim vetëm me zgjedhje racionale e të kontrolluara tërësisht prej aktorëve në fjalë.
Mirëpo, a është pjesë e këtyre zgjedhjeve p.sh. trashëgimia? Trashëgimia ekonomike, shoqërore, institucionale, burokratike, kulturore e vendeve që dikur kanë qenë qendra perandorake është e pakrahasueshme me atë të vendeve të cilat kanë qenë veç periferi e perandorisë. Gara mes tyre është e pabarabartë. Si mund të jetë e barabartë një garë kur njëri garues paraprakisht mbahet në regjim urie ndërsa tjetri mirushqehet, kur i pari garues ka një jetë që stërvitet, ndërsa i dyti ka qenë i lidhur me zinxhirë? Pale pastaj kur të parit i jepet një avantazh kilometrik në start, ndërsa të dytit i vendosen edhe pengesa, ndërkohë që gara do të duhej të qe sprint?
Në këtë paralelizëm, shumë vende të periferisë së Bashkimit Europian po përjetojnë sot diskriminimin ekonomik, lënien pas dore, diçka të ngjashme me atë që dikur përjetonin shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ata popuj po reagojnë ngjashëm, me protesta dhe demonstrata. Sigurisht, sipas retorikës zyrtare, fajet i kanë vetë, ama kështu thuhej edhe prej retorikës zyrtare që rridhte nga Beogradi dikur… Megjithatë, fatmirësisht, Europa nuk është Ballkan, Brukseli nuk është Beograd, dhe as që pritet të shfaqet në perspektivë ndonjë Rankoviç, ndonjë Tito apo ndonjë Millosheviç.
Impulsit qendërikës dhe euroskepticizmit, i cili nisi të forcohet bashkë me krizën, i ngjitën emrin derogativ “ballkanizim”. Por, nëse Europa dëshiron vërtet të ruhet prej “ballkanizimit” dhe ta evitojë atë, atëherë duhet të ruhet edhe prej “jugosllavizimit”. Sepse pak popuj mund të durojnë aq gjatë dhe aq shumë saç duruan shqiptarët.
Eurosong, apo serial-killer
Si t’ia bëjmë që të zgjedhim një këngë e cila do fitonte në Eurosong? Duhet studiuar mirë përvoja e fituesve të mëparshëm. Meqë asnjë prej atyre këngëve nuk ka mbetur në memorien e publikut shqiptar, dhe përgjithësisht as të atij europian, atëherë formula është e qartë. Duhet bërë një këngë që nuk na pëlqen as ne, as atyre.
Italianët, të cilët kanë marrë vendimin të ruajnë traditën e tyre të muzikës “pop”, kanë vendosur të mos marrin më pjesë në Eurosong. Por, ne nuk kemi “luksin” e italianëve. Ne do të marrim pjesë në Eurosong dhe Festivalin tonë Mbarëkombëtar të Muzikës së Lehtë do ta bëjmë edhe më të lehtë. Tekste e kompozime të lehta, vokale të lehta, linja muzikore edhe më të lehta, orkestrime thuajse të pandjeshme në lehtësinë e tyre. I gjithë festivali thuajse ngrihet n’ajri shkaku i lehtësisë. S’ka më një këngë që të të mbetet në mend, apo që të mund ta fërshëllesh. Se janë shumë të lehta, janë për Eurosong.
E prapë se prapë ne nuk do ta fitojmë Eurosong-un, sepse lehtësia jonë është e papërballueshme – për të përsëritur një klishe që e kanë shumë qejf ata që kanë lexuar pak libra. Eurosong-un do ta fitojnë vetëm ata që kurrë s’e kanë pasur seriozisht fitoren e tij, dhe që s’u ka shkuar kurrë ndër mend ta fitojnë atë. Ne të tjerët që kemi dashur gjithnjë ta fitojmë, do vdesim si çifutët në shkretëtirë, bashkë me Moisiun tonë, pa e parë tokën e premtuar. Tokën e premtuar do ta shohin vetëm ata që s’e kanë obsesion atë.
Të njëjtin fetish dhe obsesion paraqesin edhe qeveritarët tanë, kuptohet jo për Eurosong-un, por për anëtarësimin në Europë. Duket sikur gjithçka që bëjnë, sikur çdo synim politik të ketë si të vetmen kiblë Europën. Brukseli kështu iu shndërrohet dalëngadalë në Qabe, paçka se përgjithësisht ata janë perëndimoristë të thekur. Problemi qëndron se, edhe pse i bëjnë vazhdimisht detyrat e shtëpisë, nuk mbërrijnë ta marrin mirëseardhjen. Të mërzitur, ata nisin të kërcënojnë, p.sh. Thaçi dikur kërcënonte se nëse nuk na hap dyert Europa, ne dimë të bëjmë edhe bashkim kombëtar, ndërsa Rama kërcënon se nëse nuk na pranojnë në gjirin e BE-së, ne do të fillojmë të sillemi si ballkanikë (edhe pse ky kërcënim s’ka pikë kuptimi).
Mirëpo dy liderët, së bashku me pjesën më të madhe të elitës në Kosovë e Shqipëri, të cilët kanë kapur gjithçka në këto vende, duke u bërë vetë “kapës” e duke e lënë vendin të jetë thjesht “kaps”, nuk e kanë kuptuar vërtet se çfarë na mungon neve, pavarësisht detyrave të shtëpisë. Po të kishin studiuar seriozisht Vendet e Mëdha, elitarët tanë do të kishin vënë re një karakteristikë që i dallon ato nga vendet e vogla si puna jonë. Jo fakti që kemi zëvendësuar shkollat e muzikës me ca reality-shows dhe jemi përqendruar tek Eurosong-u, por fakti që Vendet e Mëdha kanë serial-killers, ne s’kemi. Jo pse jemi paqësorë apo pse kemi rend, sepse gjakësi ka shumë te ne, në aktualitet, në histori e në folklor. Shkurt muhabetit, ne nuk kemi vrasës të sëmurë, që edhe pasi bëjnë kërdinë fshehurazi për vite me radhë, s’e kanë për gjë t’u buzëqeshin kamerave me karizmën e sëmurë të Andrei Chikatilos. Ne s’kemi Gary Ridgway apo Ted Bundy, s’kemi infermierë e mjekë që marrin më qafë me qindra, si në rastet e bëra publike së fundmi në Gjermani apo Itali. Ky fenomen na mungon për të qenë tërësisht europianë, perëndimorë, dhe Vende të Mëdha. Arsyeja pse mungon një serial-killer te ne është e thjeshtë, komuniteti është ende aq aktiv dhe aq në këmbë sa që, pavarësisht dështimit të shtetit, rendit, burokracisë, medias, shkollës, ekonomisë etj., ta parandalojë vetë këtë fenomen qysh në hapat e parë, pa e lënë të “zhvillohet”. Nëse elita e politikës e sheh anëtarësimin në Bashkim Europian me të njëjtin obsesion që elita e muzikës sheh pjesëmarrjen në Eurosong, do të përfundojnë pikërisht aty, të kërkojnë që dhe ne të kemi të paktën një serial-killer. Si gjithë Vendet e Mëdha. Por, sigurisht që është sarkazëm, apo sarkazmë.
Top Channel