Ankth tek investitorët prej “Grexit” dhe “Brexit”, dy tema sa të ndryshme dhe të ngjashme

07/01/2015 00:00

Zgjedhjet britanike në maj padyshim që do të kenë po aq impakt në qëndrueshmërinë e eurozonës, sa zgjedhjet e këtij muaji në Greqi, duke e kthyer këtë gjashtëmujorsh në një periudhë ankthi për investitorët europianë.

Dy temat e reja për vitin 2015 vihen në diskutim mbi tregjet financiare: jehona e krizës së euros gjatë 2011/12 përmes trazirave politike greke dhe frikës se ky vend mund të largohet nga unioni i monedhës së përbashkët europiane; si dhe rreziku politik në Britani dhe rezultati i zgjedhjeve atje në lidhje me shanset për një referendum mbi qëndrimin e Britanisë në BE apo largimin.

“Grexit” dhe “Brexit”, dy terma të shkurtuara që i referohen rrezikut të daljes së Greqisë nga eurozona dhe Britanisë nga Bashkimi Europian, mund të duken pa lidhje me njëra-tjetrën, përveç rrënjëve të përbashkëta në zhgënjimin e votuesve ndaj institucioneve europiane. Kauzat e tyre janë të ndryshme dhe mundësitë e largimit të Britanisë janë më të mëdha, edhe pse disa vite larg.

Partitë opozitare që kanë fituar popullaritet në Greqi fajësojnë masat shtrënguese për recesionin e thellë gjatë këtyre viteve, masa të kërkuara nga kreditorët sovranë të eurozonës në këmbim të disa miliarda eurove huash për të shpëtuar vendin nga paaftësia për të paguar borxhet.

Spekulimet janë duke u rritur dhe partia kundër këtyre masave shtrënguese, Syriza, pritet të fitojë zgjedhjet e 25 janarit, e më pas do të përpiqet të rinegociojë huatë dhe kushtet për to, duke provokuar kështu një tjetër përplasje mes Athinës dhe pjesës tjetër të eurogrupit. Kjo do të mund të rikthente frikën e investitorëve, se tensionet politike mund të çojnë në “Grexit”, e gjithçka do të bëhet për mbijetesën e euros.

E ndërsa Britania është jashtë eurozonës, nervozizmi popullor me valën e emigrantëve nga vendet e reja anëtare të BE-së gjatë dekadës së kaluar ka detyruar konservatorët në pushtet të premtojnë zhvillimin e një referendumi për anëtarësimin në BE, ku do të vendoset qëndrimi ose largimi prej saj, nëse atyre do t’u jepet një tjetër mandat në qeverisjen e vendit ishullor.

Ajo që i lidh të dyja çështjet është se “Brexit” pa dashur mund të ndihmojë në hapjen e rrugës për “Grexit”, apo edhe më keq në daljen nga eurozona të disa vendeve të tjera, duke krijuar kështu një hartë të paeksploruar më parë.

Ende nuk ka asnjë parashikim ligjor apo strukturë në Traktatet e BE-së për një vend që të largohet nga euro; një vendim për t’iu bashkuar monedhës së përbashkët ka qenë projektuar qëllimisht si një lëvizje e pakthyeshme. Kjo nuk do të nënkuptonte se dalja e njëanshme do të ishte e pamundur, por mungesa e një mekanizmi të dakordësuar të paktën, ka rritur rrezikun gjatë viteve të mëparshme të krizës, duke zmadhuar frikën e së panjohurës dhe duke sugjeruar se prishja e marrëdhënieve brenda eurozonës do të duhet të jetë ekstreme, për të justifikuar sfidimin e të gjithë Këshillit të BE-së.

Gjithsesi, gjithmonë ka pasur një rrugë ligjore alternative për t’u larguar nga eurozona: daljen nga BE-ja gjithashtu…

Top Channel