Festa e djegies së makinave

02/01/2015 00:00

Numri i makinave të djegura mbrëmjen e ndërrimit të viteve, këtë radhë në Francë ishte shumë më i vogël se vitin e kaluar.

Rreth 12 përqind më pak automjeteve iu vu flaka të mërkurën krahasuar me 2013-n. 940 makina u dogjën mbrëmjen e vitit të ri sipas Ministrisë së Brendshme franceze. Në hyrjen e 2014-s, kjo shifër ishte 1.067.

Në periferitë e Parisit, por edhe qyteteve të tjera të vendit, një veprim i tillë është kthyer në ritual të përvitshem që prej protestave të dhunshme të 2005-s. Siguria në mbarë vendin ishte e lartë në këto ditë festash pas një serie sulmesh nëpër rrugë.

90.000 forca sigurie ishin mobilizuar për ruajtjen e qetësisë në vigjiljen e ndërrimit të viteve. Sa për atë që ka marrë trajtat e një riti të çuditshëm, fillesat i gjurmohen fare lehtë në 2005-n, edhe pse sipas disa korrespondentëve ideja e djegjes së makinave si formë proteste në Francë, daton që prej viteve 1990.

Autoritetet franceze i raportonin rregullisht djegjet e makinave në çdo 31 dhjetor, por ish-presidenti Nicolas Sarkozy zgjodhi ta braktiste këtë praktikë në vitet 2010-2011 nga frika se mos i nxiste njerëzit ta imitonin.

Franca ka qenë në gjendje alarmi pas një vale sulmesh të papritura e në pamje të pare edhe pa lidhje me njëra-tjetrën në periudhën pëpara Krishtlindjes. Episodet e dhunshme në Nantes, Dijon dhe Tours shkaktuan më shumë se 20 të plagosur.

Top Channel