Mali i “Perëndive” në Greqi hyn në UNESCO, shtohen dhe plazhet “shpëtimtare” të Francës “Norman Atlantic” kishte probleme të mëdha sigurie, sipas të përditshmes britanike “Daily Telegraph”. Duke cituar inspektorët grekë, gazeta flet për identifikimin e disa mangësive të mëdha të cilat kishin të bënin pikërisht me sigurinë nga zjarri.
Raporti i zyrtarëve në Portin e Patras, nga ku trageti nisi rrugëtimin mëngjesin e së dielës, është publikuar online nga një faqe interneti greke. Inspektimi i kryer në 19 dhjetor ka gjetur parregullsi serioze si përsa i takon sigurisë nga zjarri, ashtu edhe planeve për evakuimin e pasagjerëve në rast emergjence.
6 ishin problemet kryesore të cilat lidheshin me ndriçimin në rast urgjence, dyert e zjarrit dhe ngërçe të mëdha me reagimin për shpëtimin e jetëve njerëzore. Nga vetë raporti grek rezulton se operatorit të tragetit i ishin lënë 15 ditë afat për të zgjidhur këto probleme, por nuk dihet nëse është marrë ndonjë masë konkrete prej drejtuesve të kompanisë.
Sindiktatat e tregtisë e akuzojnë firmën italiane “Visemar Di Navigazone Srl” dhe operatorin grek të trageteve “Anek Lines” se kanë reduktuar masat e sigurisë në mënyrë që të rrisnin fitimet.
Në bari, gjykatësi Giuseppe Volpe njoftoi nisjen e një hetimi mbi dramën e tragetit, i cili do të përcaktojë nëse dikush në këtë mes do të akuzohet për “mbytje të anijes nga neglizhenca”. Pronari Carlo Visentini sqaron se kompania e tij tij “Visemar” ofroi bashkëpunim të plotë në operacionin e shpëtimit, por nuk komentoi mbi masat që duheshin marrë përpara se të shkohej deri në këtë tragjedi.
Përfaqësuesit e katër sindikatave greke të tregtisë nxorrën një deklaratë të përbashkët ku thonë se etja e pronarëve të trageteve për të nxjerrë fitime sa më të majme nga ky biznes e eklipson marrjen e masave të domosdoshme për mbrojtjen e jetëve njerëzore në det.
Zjarri që përfshiu tragetin italian mëngjesin e së dielës filloi ne pjesen e tij ku qendronin automjetet, e besohet të ketë nisur nga një kamion që transportonte vaj ulliri.
Top Channel