Trageti në mëshirë të erës, gjatë natës iu afrua bregut të Semanit

29/12/2014 00:00

E gjithë tragjedia me tragetin “Norman Atlantic” është zgjidhur në ujërat territoriale shqiptare. Pas zjarrit që shpërtheu në anije dhe daljes së mjetit jashtë kontrollit, trageti me 476 pasagjerë në bord është shtyrë nga era dhe dallgët afër brigjeve shqiptare.

Vetëm dërgimi i rimorkiatorëve ka ndalur avancimin e anijes drejt brigjeve shqiptare. Mesditën e së hënës, ndërsa operacioni i evakuimit ishte drejt fundit, objekti ndodhej vetëm pak milje larg bregut të Semanit dhe dukej me sy të lirë nga larg.

Rreth saj lëvizin shumë anije të tjera që po kryenin operacionet e shpëtimit, ndërsa dukeshin edhe helikopterët që kanë ngritur nga ajri edhe pasagjerin e fundit. Banorët e zonës së Semanit ishin të parët që njoftuan për pamjet që arrinin të shihnin sapo koha u përmirësua pak.

Sipas tyre, gjatë mëngjesit dukeshin retë e tymit që dilte nga anija dhe shumë anije më të vogla që afroheshin e largoheshin. Në ndihmë të tragetit, ku ndodheshin edhe shtetas shqiptarë, kishin shkuar edhe anije ushtarake shqiptare.

Në det vërshuan shumë mjete shpëtimi. Një varkë shpëtimi e një trageti tjetër, “Cruis Europa” doli paraditen e së hënës në bregun e Semanit dhe brenda saj nuk ndodhej askush.

Policia nuk kishte mbërritur ende, ndërsa kamera e Top Channel regjistroi pamjet e brendshme të varkës së shpëtimit, ku nuk ndodhej askush dhe nuk dukej asnjë gjurmë.

Brenda saj, veç ulëseve ndodheshin edhe disa pako me ushqime për raste emergjence. Ndërkohë, disa mijëra metra larg bregut dukej një tjetër varkë shpëtimi e braktisur.

Mësohet se në orët e pasdites, anije të Rojës Kufitare shqiptare nisën kontrollin e zonës për ndonjë prej trupave të personave të zhdukur.

Top Channel