“Shqip”, një urim ‘Gëzuar’ mbarëshqiptar…

29/12/2014 00:00

Mimoza Kusari Lila e Gjakovës, Teuta Arifi e Tetovës, Ziadin Sela i Strugës, Sotiraq Filo i Korçës kanë qenë krerët lokalë të ftuar në këtë takim të fundit të emisionit “Shqip” të Rudina Xhungës, për vitin 2014 në Top Channel. Kanë qenë të ftuar veç e veç gjatë gjithë këtij viti, por këtë herë janë mbledhur bashkë për të treguar gjithçka mbi 2014-n e tyre e për postet që mbajnë, por dhe për të uruar 2015-n, për qytetet që duam, për Shqipërinë e vitit tjetër…

Një ditë me kryetaren e Komunës Gjakovë – Pas binjakëzimit Gjakovë-Pogradec dhe prezantimit më të plotë e më informues të vlerave mbarëshqiptare të prezantuar nga kryebashkiakët e rinj të qyteteve respektive, janë rritur së tepërmi vizitorët gjakovarë në Pogradec, por edhe anasjelltas. Edhe Korça, e cila është jo shumë larg Pogradecit, shihet si një destinacion i mundshëm dhe tepër potent për të gjithë vizitorët nga e gjithë shqiptaria, pasi siç thotë kreu i saj Sotiraq Filo, Korça i ka të gjitha mundësitë për të pritur vizitorët mbarëkombëtarë.

Mimoza Kusari-Lila tregon se gjatë vitit 2014 janë bërë investimet më të nevojshme për të restauruar tregun e Gjakovës, duke riparuar muret, ndriçimin, dyqanet e reja e të zëna tashmë prej të gjithëve, por edhe shumë pjesëve të tjera të qytetit kosovar. Gjakova e konsideron Vitin e Ri një festë të madhe, të cilën e feston përgjithësisht jashtë, e më pas të nesërmen e vijon me vizitat nëpër familjet, të afërmit dhe miqtë. Mes ndryshimeve të këtij viti, zonja Kusari-Lila thekson edhe veçimin dhe krijimin e rajonit të Gjakovës, që tashmë ka edhe komisariatin policor të saj, ashtu sikurse pritet që prej ditës së parë të vitit 2015 të ketë edhe targat e saj zyrtare, me numrin e rajonit përkatës.

Teuta Arifi e nis fjalën e saj me përgëzimin ndaj zonjës Kusari Lila, për të cilën besonte se do të ishte fituese e zgjedhjeve bashkiake në Gjakovë që kur mori vesh se do të kandidonte ajo. Pse jo, theksoi Arifi, gjithçka në vijim ka qenë një mundësi e artë për të qenë sa më të pranishëm mes dy qyteteve “motra” dhe për një të ardhme me më shumë komunikim dhe bashkëpunim. Një tjetër lavdërim ka për zhvillimet e fundit në Gjakovë ka ardhur edhe nga Ziadin Sela, kreu i Strugës, i cili ishte habitur nga gjallërimi i jashtëzakonshëm i këtij qyteti të mrekullueshëm të Kosovës, aq sa të pranishmit në Çarshinë e këtij qyteti i konsideroi si të ishin disa pjesëmarrës në ndonjë miting politik.

Kusari Lila premton se do të mbetet e përkushtuar në rivitalizimin e jetës gjakovare, pas gjendjes mjaft të rëndë që huazoi nga liderët paraardhës të qytetit, duke theksuar se orari i punës së saj nuk ka pasur aspak kufizime apo pushime, por shpesh herë ka punuar edhe përtej orarit për të mirën e qytetit. Ende konsiderohet si e largët koha kur orari zyrtar i punës, sipas Kusari-Lilës, do të jetë i përcaktuar mirë. Ajo premton se në 2015-n, të cilin e konsideron si një vit të zhvillimit ekonomik rajonal përtej ideologjive politike, do të fokusohet më tepër vëmendja te kanalizimet, investimet në furnizimin me ujë të pijshëm dhe shumë të tjera me interes tepër jetik për qytetarët.

“Politika duhet të merret më shumë me zgjidhjet praktike të problemeve dhe jo me spekulime, ashtu siç bëjnë edhe politikanët europianë. Ashtu siç tregoi edhe zgjidhja e krizës politike në Kosovë, të gjithë duhet të jenë më shumë të fokusuar te zgjidhja e problemeve në praktikë, me vullnet të plotë, dhe pa pasur nevojë që të vijnë të huajt e të na tërheqin veshin për diçka”, është shprehur Kusari Lila, e cila thekson se prioritetet qeverisëse duhen të jenë të ditura e të vendosura nga vet politikanët shqiptarë, dhe jo me ndihmën apo ndërmjetësimin e të huajve. Sa i përket ndryshimeve politike, të cilat janë të mirëpritura prej Kusari Lilës për aq kohë sa ato do të jenë konstruktive, kryetarja e Gjakovës thekson se nuk janë prioritet i saj në karrierën politike, por edhe nëse do të ishte e nevojshme të ngrihej në karrierë do të bënte gjithçka që të vijonte mbi bazat e nisura dhe të ngritura deri më tani.

Një ditë me kryetaren e Komunës Tetovë – Zonja Arifi është prej 3 mandatesh kryetare e Komunës së Tetovës, e cila synon të zgjidhet edhe për të katërtin me radhë, e cila ka ardhur nga një post tjetër në administratën shtetërore në momentin kur iu propozua kandidimi për kreun e Komunës. Fillimisht asaj iu duk diçka e vështirë, por asnjëherë – siç thekson Arifi – nuk duhet t’i largohemi sfidave, teksa të sajën e pranoi me kënaqësi dhe përkushtim, madje duke e bërë fushatën elektorale pa shenja partiake në zyrën e saj dhe të stafit të ngarkuar me këtë fushatë.

“Mbaj mend takimin e parë me artistë e më pas me bankat etj, me të gjitha grupet e interesit në Tetovës, teksa gjatë fushatës kemi punuar me një axhendë ditore thuajse të mbingarkuar”, thotë zonja Arifi mbi organizimet e para gjatë fushatës së saj. Ajo theksoi më tej se takimet me gratë kryesisht kanë bërë edhe diferencën e fitores së saj, falë përbërjes së asaj pjese të shoqërisë që ishte më shumë e përkushtuar për problemet e qytetit. Teuta Arifi deklaron më tej se dyert e shtëpive nisën të hapeshin dhe ta prisnin si mikeshë kandidaten e atëhershme, por një sjellje e tillë vijon edhe sot e kësaj dite, kur ajo është kryetare prej disa vitesh e Tetovës, sepse mendon që gratë e kanë më të thjeshtë të hapen dhe të shprehin gjithë pakënaqësitë apo sugjerimet e tyre kur dëgjohen prej grave, se sa kur politikanët janë meshkuj.

Arti ka qenë një nga fushat që kanë pasur vëmendjen kryesore të të gjithë mandateve të zonjës Arifi. Janë zhvilluar me dhjetra aktivitete kulturore dhe këto do të mbeten objektiv edhe në vijim, pasi siç shprehet Arifi, Tetova është një qytet universitar dhe nuk mund të ketë mungesë të aktiviteve të tilla. Duke sjellë në vëmendje rastin e një kompanie amerikane që donte të investonte në Maqedoni, e që ishte shprehur se “është vështirë të investohet në një qytet pa shumë zhvillime kulturore” – duke iu referuar me këtë kritikë Entit Statistikor Maqedonas – ajo ritheksoi rëndësinë që ka për qytetin tetovar një fokusim pikërisht në këtë fushë. Sa i përket politikës dhe rivalitetit politik, zonja Arifi është shprehur se nuk ka rëndësi përkatësia partiake, pasi bashkëpunimi dhe komunikimi mes krerëve lokalë apo edhe atyre qëndrorë duhet të jetë sa më i madh për të pasur më shumë fryte.

“Kam pasur takime me të gjithë ambasadorët e akredituar në Maqedoni, e prej tyre kam kërkuar vetëm një gjë parësore: çdo takim apo aktivitet që bëhet mes diplomatëve të huaj dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Maqedoni të pasqyrohej në media. Më tej është e rëndësishme që të kërkohen edhe më shumë investime ekonomike, ndarja e buxheteve duhet të jetë disi më e barabartë, – theksoi Arifi – pasi edhe të huajt e kanë më të lehtë të mendojnë se përse duhet të investohet diku, nga ku nuk dihet shumë për aktivitete kulturore”.

Një ditë me kryetarin e Komunës Strugë – Nevojë e kohës për të sjellë ndryshim në Maqedoni është ambicia e Ziadin Selës për të marrë drejtimin e PDSH-së, por edhe për të rrëzuar nga pushteti BDI-në. Realisht, siç thotë Sela, PDSH ka qenë thuajse gjithë kohën e saj që prej krijimit në opozitë, teksa ai ka kërkuar edhe dorëheqjen e kreut aktual të kësaj partie, në respekt të statusit të partisë, por tani nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë mbajtjen e Kongresit të partisë për të vijuar me hapat e radhës. Kohë kjo, gjatë së cilës ai po mendon për futjen e standardeve të reja dhe ndërkombëtare të politikës në partinë e tij, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për mandatin e kryetarit që duhet të jetë i kufizuar në maksimumin dy mandate. Në fushatën e tij ai synon mbi të gjitha të bashkojë opozitën që e konsideron të madhe në Maqedoni, pasi vërtetë ka ardhur koha për të rrëzuar pushtetin aktual maqedonas.

Sa i përket ndikimit të politikës shqiptare apo asaj kosovare në punët dhe çështjet e brendshme politike në Maqedoni, Ziadin Sela parapëlqen të mos fjalë gjatë, por mjaftohet të thotë që ka në një farë mënyrë, shumë më pak se në të kaluarën, por që ai i konsideron si të panevojshme ndërhyrjet apo amnistimet e disa kandidatëve, të cilët në fakt nuk kanë se ç’të japin më shumë në politikë, por duhet ndryshim. Ndikim në politikën mbarëshqiptare kanë edhe institucione dhe organizata ekonomike, por që duke qenë se ka shumë hapësirë të pashfrytëzuar në të gjitha trevat shqipfolëse, asgjë nuk duhet të ndikojë mes politikanëve shqiptarë me plane afatshkurtra dhe me synime përfitimi të menjëhershme, por të shfrytëzohen të gjitha fondet dhe projektet e Bashkimit Europian për të zhvilluar në afatgjatë rajonet tona përkatëse dhe komunitetet tona.

Një ditë me kryetarin e Bashkisë Korçë – Kryebashkiaku korçar ka nisur fjalën e tij kryesisht për turizmin dhe investimet në Korçë, të cilat i ka diskutuar edhe në një tjetër takim të së shkuarës të emisionit “Shqip”, i cili kishte përfunduar me planin për kullën gjigante në sheshin qendror të qytetit. Ka pasur edhe një rikonstruksion të tregut të vjetër të Korçës dhe Parkut “Rinia”, falë programit “Rilindja urbane e qyteteve” të qeverisë qendrore socialiste. Edhe Bashkia e Korçës ka përfituar nga disa projekte si ato të sipërpërmendurat.

Ndërhyrja në sheshin e Teatrit, i cili ka qenë përpara ndërhyrjes thjesht një shesh me pllaka të vjetra që prej kohës së sistemit komunist, është bërë me një plan tepër të rëndësishëm të një prej arkitektëve më të mirë të kohës. Ky arkitekt është kontaktuar menjëherë edhe nga Teuta Arifi e Tetovës, për të parë mundësinë e bashkëpunimit me të për një tjetër investim të ngjashëm këtë radhë në Komunën e drejtuar prej saj. Pamja nga sipër kullës është ajo e qytetit të Korçës nga një lartësi e madhe, diçka që kreut të Bashkisë i ka pëlqyer gjithmonë ta bëjë, qoftë edhe nga kodrat përreth qytetit. Pavarësisht se ky projekt ka qenë tepër i debatueshëm në qytetin e Korçës, një gjë që ndodh shpesh në këtë qytet sa herë bëhet fjalë për projekte investimesh madhështore, në fund zoti Sotiraq Filo shprehet besimplotë se qytetarët korçarë do ta vlerësojnë atë që është pozitive dhe e bukur për qytetin e tyre, pasi gjithnjë kështu kanë bërë.

“Shqip” ka përfunduar me urimet respektive të të ftuarve: Sela fton të gjithë shqiptarët të vijnë në Strugë, ku mes festimeve të shumta do të jenë edhe grupi tetovar “Elita 5”, teksa ka uruar për një vit më të mirë në çdo aspekt, qoftë kulturor, ashtu dhe ekonomik për të gjitha trevat. Ai uron për më shumë mirëkuptim dhe suksese për të gjithë. Ndërkohë, zonja Kusari Lila uron gjithë shqiptarët për një vit 2015, i cili sipas saj do të jetë viti i unifikimit dhe i bashkimit më të fortë mes shqiptarëve, e mbi të gjitha uron shëndet. Tetova, me Arifin përfaqësuese, pasi ka lëshuar këtë herë një vlerë tepër të vyer të qytetit, si grupi “Elita 5”, uron gjithë shqiptarët për shëndet dhe sa më shumë fat në 2015-n. Ashtu sikurse vitet e fundit të kësaj dekade, le të jetë ky vit një vazhdë e ndryshimeve thelbësore për të gjithë shqiptarët. Gjuha dhe kultura e njëjtë e këtyre trevave është e njëjtë, ndaj dhe zhvillimi duhet të jetë po ashtu i unifikuar dhe i gjithanshëm. Ndërsa Sotiraq Filo, duke theksuar edhe njëherë ndryshimet thelbësore të pamjes së qytetit, shton se atmosfera do të jetë magjike për festat e fundvitit, gjë që ka nisur me panairin e dritave dhe do të mbyllet me “countdown”-in (numërimin mbrapsht) e sekondave të fundit të vitit 2014 pikërisht në kullën e qendrës së qytetit. Le të jetë ky vit që do të sjellë më shumë prosperitet për të gjithë shqiptarët anembanë botës, kudo jetojnë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA