Fundoset anija turke e mallrave, 11 të zhdukur

28/12/2014 00:00

Një tjetër incident detar ndodh në brigjet e Adriatikut, pasi një anije mallrash turke është fundosur. Sipas burimeve nga vendngjarja, gjithçka ndodhi pasi dy anije, një turke dhe një nga Belize, janë përplasur pak milje larg nga porti i qytetit italian Ravena.

Forcat bregdetare raportojnë se 11 persona janë të zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Të parat në vendngjarje ishin anijet e rojeve bregdetare të cilat nuk e kishin kapacitetin e duhur për të ndërhyrë, por si me të njoftuar ekipet e tjera speciale, këto të fundit arritën të shpëtonin disa të plagosur. Skuadrat e shpëtimit të kapitenerisë së portit të Ravenës janë ndihmuar edhe nga një helikopter i zjarrfikësve të Bolonjës.

Ndërkohë, në port kanë mbërritur edhe disa ambulanca për të dhënë ndihmën e parë për të shpëtuarit që mbërrijnë.

Nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar edhe kryeministri italian Mateo Renzi duke shprehur gatishmërinë e autoriteteve italiane për incidentet e rënda.

Top Channel