Aksident në aksin Shkodër-Koplik, humb jetën këmbësori

27/12/2014 00:00

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar pasditen e së shtunës në aksin rrugor Shkodër-Koplik.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave viktimë e këtij aksidenti është një këmbësor, i cili është përplasur dhunshëm nga një automjet në ecje e sipër.

Sipas burimeve, i ndjeri është një 60-vjeçar nga fshati Grudë Fushë, i identifikuar me inicialet S.T.

Ndërsa drejtuesi i automjetit, shtetasi Edison Bruçi, është ndaluar nga forcat e policisë dhe është shoqëruar për në komisariat.

Dëshmitë nga vendi i ngjarjes dhe marrja në pyetje e të arrestuarit pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e aksidentit, saktësojnë më tej burimet.

Ndër aksidentet e ndodhura në ditët e fundit në vend ka qenë ai i një dite më parë në aksin rrugor Tepelenë-Levan, ku dy persona mbetën të plagosur.

Policia e Gjirokastrës njoftoi se në aksident ishte përfshirë një çift bashkëshortësh që po ktheheshin nga Greqia me rastin e festave të fundvitit.

Aksidenti pati pasoja më të rënda për shtetasen Lindita Lala, 40 vjeç, e cila mori plagë të rënda në trup dhe u transportua me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.

Nga hetimet paraprake rezultoi se shkak i aksidentit ishte terreni i lagësht dhe pakujdesia e drejtuesit të mjetit, bashkëshorti i Linditës, i cili mbeti i plagosur më lehtë.

Ndërsa aksidente me pasoja fatale ishin ata të një jave më parë në Tiranë, të cilat regjistruan dy viktima. Aksidenti i parë u regjistrua në aksin rrugor Tiranë-Durrës, kur një person që po udhëtonte me motoçikletë humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga.

Ndërsa në aksidentin e dytë, një tjetër motoçikletë u përplas me një automjet në Fushë-Prezë dhe për pasojë drejtuesi i saj gjeti vdekjen.

Top Channel