Juventus, Allegri karikon bardhezinjtë: Kërkoj më shumë në Europë

25/12/2014 00:00

Massimiliano Allegri nuk i bën më përshtypje suksesi në Itali. Edhe pse s’ka fituar ende asnjë trofe me bardhezinjtë, teksa më të fundit në dispozicion – Superkupën – e humbën kundrejt Napolit, ambiciet e teknikut të ri të “Zonjës së vjetër” janë përtej kufijve kombëtarë.

“Është gjëja më e drejtë të kesh për objektiv fitimin e titullit në Serie A, të synosh Superkupën dhe Kupën e Italisë, por besoj se hapi më i madh duhet bërë në Europë, pavarësisht nga forca e kundërshtarëve si Real Madrid, Bayern Munchen, Chelsea e Barcelona – të cilët mund të konsiderohen edhe si 4 ekipet më të mira të këtij viti – ndaj dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm për forcën tonë e që mund të ecim ende përpara. Është diçka shumë e cunguar të mendosh se kemi një Juventus që kënaqet vetëm duke mbërritur në 1/8-at e finaleve të Championsit dhe që fiton kampionatin italian”, thotë Allegri.

Në intervistën për Krishtlindje në “Sky”, trajneri i bardhezinjve flet edhe për merkaton. Janari është shumë pranë dhe zërat për blerje të reja të kampionëve në fuqi të Italisë janë bërë edhe më këmbëngulës.

“Klubi e di mirë se çfarë duhet të përmirësojë, nuk është e lehtë të gjenden lojtarët e duhur në janar, por sa për të përmendur një, do të thoja se na nevojitet një mbrojtës. Montoya? Është një mbrojtës anësor shumë i mirë dhe teknik, luan te Barcelona, por janë edhe disa lojtarë të tjerë nën vëzhgim. Do të shohim nëse do të marrim një anësor apo një mbrojtës qendre”.

Top Channel