Kosovë, miratohet në parim buxheti 2015. Opozita: Thellon varfërinë

22/12/2014 00:00

Pas një debati që zgjati më shumë se 8 orë, Kuvendi i Kosovës kaloi në parim, me 73 vota pro dhe 22 kundër, projektligjin e buxhetit 2015, me premtimin që deri më 29 dhjetor, kur pritet të miratohet tërësisht, do të bëhen disa ndryshime të vogla.

Gjatë seancës, projektligji ngjalli debatet a para mes pozitës dhe opozitës. Fillimisht kryeministri Isa Mustafa
arsyetoi mos ndërhyrjet në buxhetin e përgatitur nga qeveria e Thaçi me
faktin se nuk ka pasur kohë.

Ai premtoi realizimin e reformave rrënjësore në vitin 2015, që janë pjesë e programit qeverisës e të cilat do të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe uljen e defiçitit tregtar që është 106 milionë euro.

Për vitin e ardhshëm pritjet janë për një rritje ekonomike prej 4 për qind, bazuar në investimet private, dërgesat e diasporës dhe eksportin e mallrave.

“Në vitin 2015, me vlerësimet e tanishme ne presim që ekonomia e vendit të ketë një normë vjetore të rritjes mbi 4%. Në këndvështrimin afatmesëm, kjo normë e rritjes pritet të jetë edhe më e lartë si rezultat i reformave substanciale që qeveria planifikon të ndërmarr gjatë vitit 2015”, deklaroi Mustafa.

Sa i përket çështjes së pagave, Mustafa theksoi se përveç rritjes që kanë marrë punonjësit publikë deri më tani tjetër nuk do të ketë. Opozita nga ana e saj kritikoi ashpër mënyrën e shpërndarjes së buxhetit për vitin e ardhshëm, duke theksuar se buxheti nuk parashikon realizimin e premtimeve për punësimin.

Sipas opozitës, përgjegjësia iu faturohet dy partive, PDK-së që e ka hartuar buxhetin dhe LDK-së që e ka proçeduar atë pa asnjë ndryshim.

“Kjo thjesht tregon se ato para do të përdorën thjesht për rroga të pushtetarëve e jo për ndonjë investim real. Pra, jo në të mirë të publikut. Ndërkaq, zhvillimi ekonomik dhe industrial, pra shtylla e punësimit është një ndër sektorët më të lënë pas dore, siç tregon edhe buxheti i shpërndarë për të, apo më mirë të themi buxheti që mungon për të”, deklaroi kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Çështja e tretë ishte një krahasim i shkurtër me buxhetin e Shqipërisë në disa fusha. Interesante është rëndësia që kanë shëndetësia dhe arsimi në buxhetin e Shqipërisë, 12% dhe 15%, krahasuar me Kosovën, 3% dhe 4%.

Po ashtu, Ministria e Brendshme shpenzon një pjesë të madhe të buxhetit të Kosovës, 11%, krahasuar me atë të Shqipërisë 7%, edhe pse në Shqipëri kohët e fundit ka pasur aksione të mëdha të Ministrisë së Brendshme, si Lazarati, antidroga, etj.

Ndërsa në Kosovë policia përdoret vetëm për të shtypur protesta, ose për t’i ruajtur punimet në Parkun cinik të Paqes në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

“Ky është një buxhet i thellimit të varfërisë, papunësisë dhe prapambetjes së mëtejshme ekonomike të Kosovës. Nëse e analizojmë strukturën e të ardhurave të planifikuara me këtë projektbuxhet vërejmë se kjo qeveri nuk ka parashikuar asnjë reformë fiskale, të nevojshme për krijimin e klimës së biznesit dhe për thithjen e bizneseve vendase e të huaja”, deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Elefantët janë bërë bashkë për grabitjen e parasë publike dhe po merren me çështje që nuk janë të rëndësishme për vendin. Ky projektbuxhet është vetëm për shpenzime. 71% e buxhetit i dedikohet shpenzimeve rrjedhëse të institucioneve dhe kështu nuk mund të quhet buxhet i qytetarëve. Në këtë mënyrë nuk ka ngritje buxhetore, por vetëm rënie, ndaj dhe Kosovën e presin shumë vështirësi”, tha nga ana tjetër Jakup Krasniqi, kryetar i grupit të Nismës për Kosovën.

Buxheti i Kosovës për vitin 2015 është 1 miliard e 576 milionë euro.

Top Channel