Një grua kubaneze me banim në Itali ka denoncuar rrëmbimin e të birit 3 vjeç nga i ati, i anëtarësuar në radhët e Shtetit Islamik për të luftuar në Siri.
Denoncimi i Linda Solano Herrera ka ardhur pasi e ka parë të miturin në një foto të publikuar në mediat italiane, ku vogëlushi, me emrin Ismail, shfaqet i shoqëruar nga një i rritur në gërmadhat e luftës në Siri dhe me një kallashnikov të vogël në qafë.
Bashkëshorti i gruas, boshnjaku Ismar Mesinoviç mësohet se ka vdekur në luftime, por vogëlushi, sipas njoftimeve të njerëzve të të atit, është mirë.
“Mua më duket fiks ai. Zëmra e një nëne nuk mund të gabojë”, ka thënë Herrera për të përditshmet italiane. Denoncimi i saj ka bërë që autoritetet policore speciale të nisin një hetim.
Hetuesit vënë në dukje se ende nuk është e sigurtë që vogëlushi është djali i gruas, por mes atij që shfaqet në fotot e publikuara online dhe atij në fotot që zotërohen nga Herrera ka shumë pika ngjashmërie.
Në një tjetër foto të publikuar, 3-vjeçari shfaqet në bordin e një motori i veshur si militant, bashkë me një të rritur i identifikuar si luftëtar islamik.
Top Channel