13-vjeçari hap zjarr në një shkollë në Brazil, dy të vrarë dhe disa të plagosur në Rio Branco Qëkur rubla mori të tatëpjetën, rusët nisën të vërshojnë nëpër dyqane. Kërkesë të madhe ka pasur sidomos për mobilie dhe elektroshtëpiake, ndërsa në tregun e automobilave vërehet një lloj paniku.
Që tani ka mungesa shkruan gazeta “Wedomosti”, po shiten edhe makinat çmimet e të cilave janë rritur sakaq.
Zhvlerësimi i rublës nuk parandaloi as valën e blerjeve tradicionale për festat e fundvitit.
Numërimi se prapthi për kremtimet e mëdha ka nisur dhe qendrat tregtare të Moskës gëlojnë nga njerëzit. Blihet çdo gjë, duke filluar nga artikujt e argjendarisë, veshjet e produktet kozmetike. Mjaft konsumatorë thanë për “Reuters” se deri tani, rubla e dobësuar nuk i ka prekur as blerjet e festave, e as jetët e tyre.
“Gjërat janë shumë mirë, atmosfera e vitit të ri është e jashtëzakonshme, blerjet duket se shkojnë për bukuri. Sapo mbërritëm e po shohim të zgjedhim ndonjë parfum. Jemi nga një qytet tjetër, por erdhëm në Moskë për të bërë pazar”, shprehet një qytetare.
“Atmosfera është fantastike, edhe moti është i shkëlqyer. Nëpër dyqane ndihet fryma e festave. Po blejmë çdo gjë që na pëlqen; deri tani kemi marrë këpucë, një çantë e do blejmë dhe ca produkte kozmetike”, tha një tjetër qytetare.
Blerjet shkuan si zakonisht edhe për moskoviten, Larisa, e cila vuri re megjithatë një rritje të çmimit të ushqimeve.
“Nëse do të flasim për ushqimet, aty po, rënia e rublës ndihet. Por s’ke c’i bën, nuk i shpëton dot. Kështu e ka jeta, thjesht shpresojmë që gjërat të shkojnë për më mirë”, shprehet konsumatorja.
Edhe pse deri tani mjaft rusë shprehen se nuk e kanë ndjerë efektin e krizës, shumë shpejt mund të befasohen nga fakti që një sërë produktesh do të zhduken nga tregu e ato që do të mbeten, do të kushtojnë më tepër.
Megjithatë sipas ekspertëve, as strategjia e rritjes së çmimeve e as ajo e tkurrjes së investimeve nuk do të rezultojnë të mjaftueshme nëse ekonomia e vendit do të zhytet në recesion, duke goditur ashpër vendet e punës dhe shpenzimet.
Top Channel