Zbardhet skema e grabitjeve të “babagjyshëve”. Grupi përdorte automjete të vjedhura

20/12/2014 00:00

Tani që ata nuk kanë më maskën me të cilën u shfaqën publikisht gjatë grabitjes në qendrën tregtare TEG, çfarë tiparesh ka grupi i babagjyshëve nën vështrimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila akuzon për një seri grabitjesh 8 persona?

Mbi gjithçka që vidhnin, thotë prokuroria, ata pëlqenin argjendaritë. Ata i qëndronin besnik të njëjtit mekanizëm vjedhjeje. Sipas prokurorisë, grupi i babagjyshëve përdorte për sulme të tilla mjete të vjedhura, kryesisht në zonën e Milotit.

Mjetit të vjedhur, i cili grabitej kryesisht teksa drejtuesit e tyre e kishin lënë me bllokazh në vende të ndryshme, i ndërroheshin targat, ose në disa raste babagjyshët kopionin targat e një mjeti të ngjashëm me të.

Kur niste plani për grabitjen e radhës, anëtarët e grupit ndanin edhe detyrat përkatëse, se kush prej tyre do të gjente armët, kush veshjet dhe maskat dhe çfarë roli do të kishte secili prej tyre në sulmin konkret.

Njëri prej grabitësve, ai që ishte më i gjati – thotë prokuroria – kishte detyrën të qëndronte si roje tek dera e objektit që po vidhej. Ky person mbante gjithmonë një automatik në dorë.

Tipari i përbashkët është se në çdo operacion të tillë babagjyshët përdornin gjithmonë maska, dorzeza, ose veshje me mbishkrimin “policia”, dhe në fund të grabitjeve ata gjithmonë i digjnin automjetet që përdornin, duke u larguar me mjete të tjera motorike.

Për prokurorinë, e cila kërkoi arrest me burg për katër nga babagjyshët e dyshuar: Agustin Sula, Julian Qerushi, Hajdar Sefa dhe Edmond Selala; ata rezultojnë si autorë të grabitjeve të tilla në Tiranë, Laç, Fushë Krujë, Kuçovë, Durrës, si dhe në Maqedoni.

Top Channel