Largimi masiv i kosovarëve drejt vendeve të BE

20/12/2014 00:00

Mbi çështjen shqetësuese të largimit masiv të shqiptarëve të Kosovës, duke kërkua azil në vendet e Bashkimit Europian, foli në “Revistën Televizive të mbrëmjes” nga studio e Top Channel në Prishtinë Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme të Kosovës.

Ai u shpreh se nga janari deri në tetor të këtij viti numri i kosovarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE është rreth 14 mijë qytetarë, por më shqetësuese, sipas tij janë shifrat gjithnjë e në rritje.

Pandi Gjata: Sa është numri i shqiptarëve të Kosovës që gjatë vitit 2014 kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian?

Valon Krasniqi: Fillimisht dua të them që ne jemi të shqetësuar për trendin në rritje të emigrimit të parregullt të qytetarëve të Kosovës në drejtim të vendeve të BE-së. Kosovarët po e shfrytëzojnë mundësinë për të lëvizur për në Serbi vetëm me një letërnjoftim dhe përmes linjave të rregullta të udhëtimit. Në Serbi bien në kontakt me grupe kriminale, të cilët i mundësojnë shtetasve kosovarë kalimin ilegal të kufirit me Hungarinë. Në bazë të statistikave që ne kemi, nga janari deri në tetor të këtij viti numri i kosovarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE është rreth 14 mijë qytetarë. Me siguri që kjo shifër është rritur në muajin nëntor dhe dhjetorin. Këto statistika ende nuk janë publikuar në EUROSTAT. Hungaria është shteti me numrin më të madh të azilkërkuesve, duke që në se është edhe shteti i më i afërt i BE, pastaj është Gjermania, Franca dhe vende të tjera.

Pandi Gjata: Çfarë ndodh me shumicën e azilkërkuesve dhe çfarë po bëjnë strukturat tuaja në lidhje me këto largime?

Valon Krasniqi: Arsyet e emigrimit në mënyrë të parregullt janë ato ekonomike dhe sociale, por kjo nuk është arsye për të emigruar në këto vende dhe për të kërkuar azil. Në momentin kur qytetarët e Kosovës paraqesin kërkesën për azil ato do të refuzohen thuajse 100 përqind.

Pandi Gjata: Çfarë masash janë marrë për të frenuar këto largime të organizuara?

Valon Krasniqi: Angazhimet tonë janë fokusuar në disa aspekte, nëpërmjet parandalimit, duke organizuar fushata ndërgjegjësuese lidhur me pasojat që ata kanë nëse do të lëvizin në mënyrë të parregullt në shtetet e BE. Qytetarët e Kosovës po paguajnë shuma të mëdha për të emigruar jashtë vendit dhe planet tona për organizimin e fushatave ndërgjegjësuese kanë për qëllim t’i bëjmë të ditur qytetarëve se çdo investim në emigrimin e paligjshme është në dëmin e tyre. Qytetarët do të kenë edhe pasoja juridike. Në bazë të legjislacionit të BE, çdo shtetasi i huaj që identifikohet duke qëndruar ilegalisht në një nga vendet e BE rrezikojnë të futen në të ashtuquajturën ‘listë e zezë” e vendeve Schengen, ku dënon për 5 vite të mos futen më në shtetet e Bashkimit Europian.

Pandi Gjata: Sa e dëmtojnë Kosovën këto largime masive?

Valon Krasniqi: Një nga kriteret për liberalizimin e vizave është edhe ulja e numrit të azilkërkuesve dhe natyrisht shifrat e larta kanë një ndikim negativ në këtë drejtim, kjo është bërë e qartë edhe nga ambasadorët e vendeve të BE-së në Prishtinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA