ISIS rekruton studentët e mjekësisë

20/12/2014 00:00

Kalifati islamik ISIS duket se po fut në vorbullën e tij mijëra studentë të mjekësisë nëpër botë. Sipas një artikulli të publikuar nga “Business Insider”, krerët e Shtetit Islamik po përdorin mediat sociale për të rekrutuar studentë të farmacisë, ose degëve të tjera që lidhen me mjekësinë, për të punuar kështu në spitalet e tyre në terrioret e zaptuara.

Sipas grupit terrorist, është cështje kryesore gjetja e një personeli mjekësor të kualifikuar për të kuruar militantët, pasi luftimet me forcat e bllokut anti-ISIS sa vijnë dhe shtohen.

Si strategji për të afruar studentët, kryesisht ata myslimanë, në publikimet e tyre në internet ISIS po përdor vargje nga Kurani për t’u sjellë në vëmendje të rinjve se një nga detyrat e para për të qenë mjek i mirë është ndihma dhe trajtimi për vëllezërit myslimanë të plagosur.

Studentëve u është kërkuar që të fluturojnë fillimisht drejt Turqisë dhe më pas për në Irak apo Siri, për të fiilluar punë në bazat ISIS.

“Business Insider” raporton gjithashtu se disa familje kanë mundur vetë që t’i ndalojnë fëmijët e tyre për të qëndruar larg kësaj thirrjeje, ndërsa shumë studentë të tjerë janë tunduar nga pagesat e larta që ofrohen dhe u është dashur shërbimeve të sigurisë së shteteve përkatëse për të ndërhyrë dhe bindur që të mos shkojnë në bazat e rebelëve, përndryshe do të përballen me burg.

Ndërkaq, shumë vende perëndimore, kryesisht Anglia dhe Franca, kanë rritur kontrollet nëpër fluturime, për të ndaluar të rinjtë që duan t’i bashkohen Shtetit Islamik me vullnetin e tyre.

Top Channel