“Si i ekzekutova Çausheskët”

19/12/2014 00:00

Duart e Ionel Boyerus dridheshin teksa rrëfente për “The Guardian” momentin kur para 25 viteve, në një mur i dha fund jetës, njëkohësisht edhe mbretërimit të diktatorit rumun, Nikolae Çaushesku dhe bashkëshortes së tij Elena.

Në Krishtlindjet e vitit 1989, ai ishte roje në gjykimin formal të çiftit deri kur i nxori jashtë objektit dhe i vrau. Ai rrëfen momentin kur ministri i kishte dhënë detyrën për t’i ekzekutuar dhe më pas e kishte pyetur Ionelin “A mundeni ju?” dhe ai ia kishte kthyer shkurt “mundem”.

Ai pranoi jo rastësisht, pasi vinte nga një familje e persekutuar, ndaj urrejtjen për sistemin e kishte të ngulitur.

Gjyqi kërkoi që çifti të ekzekutohej veçmas, por vullnetari nuk e respektoi urdhrin, pasi çifti duhej shumë dhe si dëshirë të fundit kishte shprehur të iknin bashkë nga kjo bote. Fjalët e fundit të Nikolae dhe Elenës ishin fyese, britma në shenjë revolte, madje diktatori nisi të këndonte për inat këngën e internacionales. Derisa ekzekutimi me kallashnikov ndodhi aq shpejt saqë fotografi ushtarak arriti të bëjë vetëm një foto të të shtënave të fundit, para se trupat të binin për tokë.

Pas atij momenti jeta e rumunëve ndryshoi rrënjësisht, diktatura mori fund. Tek njerëzit lindi shpresa edhe entuziazmi, kryesisht tek miliona familje të përndjekura politikisht. Po ashtu edhe jeta e Ionel Boyerus mori kthesë tjetër, nuk ishte e lehtë të ishe një nga ekzekutuesit më të famshëm të shekullit të kaluar.

Boyeru këtë e ka paguar me humbje të privatësisë dhe shkurorëzim nga bashkëshortja, të cilin e kishte shqetësuar lavdia e tillë torturuese. Megjithatë ish-ushtari, sot gjysh në moshën 56 vjeçare, shprehet se nuk është penduar që i dha fund Çausheskëve, pasi çdo revolucion kërkon gjak.

Top Channel