Pakistan, ekzekutimet e para pas tragjedisë së Peshauarit

19/12/2014 00:00

Autoritetet në Pakistan kanë kryer dy ekzekutime, të parat që nga shfuqizimi i moratoriumit që ndalonte dënimet me vdekje, pas tragjedisë së ndodhur në shkollën e Peshauarit.

Një nga personat e ekzekutuar ishte një i dënuar për sulm ndaj selisë qendrore të ushtrisë pakistaneze në vitin 2009, ndërsa tjetri i dënuar për një tentativë vrasjeje ndaj ish-liderit Pervez Musharaf.

Ekzekutimet janë kryer pavarësisht apelit të bërë më herët gjatë ditës ndaj Islamabadit zyrtar nga OKB për të mos i realizuar ato.

Rreth 140 persona, shumica e të cilëve fëmijë, humbën jetën në sulmin barbar të talebanëve ndaj shkollës së administruar nga ushtria në Peshauar.

Si reagim, ushtria kreu një seri operacionesh ndaj njësive të talebanëve në zonat në kufi me Afganistanin gjatë së premtes, duke vrarë 59 militantë.

Dy ekzekutimet u kryen në qytetin e Faisalabadit vonë gjatë ditës së premte, njoftuan autoritetet lokale. Mediat pakistaneze ndërkohë i identifikuan të ekzekutuarit si Aqeel, i njohur me pseudonimin “Dr Usman” dhe Arshad Mehmood.

I pari ishte arrestuar gjatë sulmit kundër bazës ushtarake në Raualpindi dhe dënuar me vdekje në 2011, ndërsa i dyti për tentativën e vrasjes së Musharraf, në të njëjtin qytet në vitin 2003.

Zëdhënësi i Agjencisë së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Rupert Colville më herët i kishte bërë thirrje qeverisë së Pakistanit që të mos rifillonte ekzekutimet.

Top Channel