Forcat kurde thyejnë rrethimin në malin Sinjar

19/12/2014 00:00

Forcat kurde në veri të Irakut pretendojnë se kanë arritur të thyejnë rrethimin e ISIS në malin Sinjar, ku mijëra anëtarë të komunitetit Yazidi qëndrojnë të bllokuar që prej muajit gusht. Ndërkohë një zyrtar i Pentagonit ka thënë se janë vrarë disa liderë të rangut të lartë të ISIS në Irak nga sulmet ajrore amerikane.

Ofensiva kurde kundër militantëve të Shtetit Islamik, të cilët mbajnë të rrethuar malin Sinjar filloi të mërkurën duke u mbështetur nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe koalicionit.

Rreth 8 mijë luftëtarë kurdë, Peshmerga kanë nisur një sulm në dy drejtime dhe thanë se kishin arritur të hapnin një korridor të gjerë për të lejuar anëtarët e pakicës Yazidi që të largohen.

“Ishte një operacion shumë i madh dhe fatmirësisht ka rezultuar me shumë sukses”, ka thënë Masrur Barzani, kancelari i Këshillit të Sigurimit të Rajonit të Kurdistanit.

Militantët e ISIS arritën të merrnin kontrollin e qytetit Sinjar në muajin gusht dhe detyruan mijëra banorë, kryesisht të sektit Yazidi të largohen. Shumë prej popullsisë së zhvendosur në malin Sinjar e gjeten veten të bllokuar.

Ndërkohë gjatë së enjtes, forcat amerikane u përballën në betejën e parë tokësore me militantët e kalifatit islamik. Gjatë luftimeve raportohet të kenë humbur jetën një numër i konsiderueshëm ekstremistësh, duke bërë që kjo të jetë një disfatë e madhe për grupin terrorist.

Beteja tokësore nuk ishte  planifikuar, thotë James Terry, gjenerali kryesor në luftën kundër ISIS, por gjithçka u vendos në momentin e fundit, më tepër për vetëmbrojtje. Kjo, pasi militantët tentuan të futeshin në bazën ushtarake “Al Asad”, një nga bazat, e cila strehon forca amerikane, por që mbetet në përdorim nga ana e ushtrisë së Irakut dhe është në pozicion kyç të linjës së frontit kundër ISIS.

Top Channel