“Mund të arrijmë vendin e tretë”

18/12/2014 00:00

Diego Lopez mendon se Milani e ka kapacitetin për të përfunduar Serinë A në vendin e tretë dhe në këtë mënyrë të sigurojë një vend për në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm.

Pasi mundi Napolin të dielën në mbrëmje, skuadra kuqezi e sheh veten vetëm 2 pikë larg vendit të tretë dhe portieri spanjoll mendon që ekipi i drejtuar nga Filipo Inzaghi mund ta arrijë një objektiv të tillë.

“Do të jetë e vështirë, por i kemi mundësitë. Janë shumë skuadra që luftojnë për një vend. Napoli është rivali më i fortë, por mos harrojmë që Fiorentina dhe Interi po ngjiten gjithashtu. Një lojë të mirë po tregon edhe Genoa me Lazion”, tha Diego Lopez për ‘Tuttosport’.

Të shtunën, Milani do të ndeshet në “Olimpico” me Romën e vendit të dytë dhe gardiani i portës mendon se kjo është një mundësi e mirë që skuadra të tregojë se po rritet.

“Duhet të tregojmë që jemi në rrugën e duhur dhe kjo ndeshje është shumë e rëndësishme. Pasi fituam me Napolin duhet të fitojmë edhe me Romën. Nuk do të jetë e lehtë pasi do të kemi përballë një skuadër që do të luftojë për titullin kampion së bashku me Juventusin deri në fund”, shtoi Diego Lopez.

Top Channel