Hijet e vrasjeve në Selitë, një predhë që s’iu gjet arma

18/12/2014 00:00

Grupi i hetimit është rikthyer sërish në banesën e shtetasit Flamur Ymeri ku edhe ku po kryen rikqyrje të vendit të ngjarjes. Ky veprim po bëhet pasi grupi i hetimit nuk e ka ende të qartë mekanizmin se si u vranë në këtë banesë shtetasit Adnan Luli dhe Ervin Shaba.

Duket se shkaku kryesor i rikthimit të prokurorëve dhe policisë në vilën e Flamur Ymerit është konstatimi i një predhe në trupin e njërit prej të vrarëve, predhë e cila dyshohet se nuk është qitur nga asnjëra prej armëve të sekuestruara në vendngjarje.

Policia thotë se ka sekuestruar në banesë dy armë, njëra “Skorpions” dhe tjetra pistoletë. Ka dyshime të forta se mbi njërin prej viktimave është qëlluar dhe me një armë tjetër zjarri që dyshohet të ketë qënë tip pistoletë. Por kjo armë nuk është gjetur ende megjithë kontrollet e agjentëve edhe gjatë kësaj të enjteje.

Grupi i hetimit qëndroi për katër orë në shtëpinë e Flamur Ymerit ndaj të cilit ende nuk është vendosur se me çfare akuze ai do të dalë para Gjykatës Penale. Por i zoti i kësaj banese, Flamur Ymeri, një biznesmen në fushën e ndërtimeve jep versionin se pasi ka konstatuar në shtëpinë e tij grabitës të maskuar dhe pasi është përleshur i ka qëlluar për vetmbrojtje me armët që ata kishin në duar.

Megjithatë kjo deklaratë nuk është konsideruar e mjaftueshme për hetuesit, pavarësisht se në katin e dytë në dy dhoma të veçanta të kësaj vile u mbajt procesverbal edhe për pozicionet se si u gjetën të shtrirë trupat e pajetë të Shabës dhe Lulit, që të dy të maskuar dhe me dorashka në duar.

Për këto paqartësi prokurorët pritet të verifikojnë edhe prova të tjera sikurse ishte edhe kqyrja e shenjave që kanë lënë plumbat në muret e banesës apo edhe përgjigjja përfundimtare e Laboratorit të Kriminalistikës.

Brenda orëve të së premtes kur të binden me provat që kanë, do të jetë e qartë nëse Flamur Ymeri 45 vjeç, i vrau dy të rinjtë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme,  apo ai sipas nenit 20 të Kodit Penal u gjet në nevojën ekstreme të rrezikut real të jetës e për këtë nuk ka përgjegjësi penale.

Top Channel