Durrës, Olldashi shpallet qytetar nderi. Mungojnë Berisha e Basha

17/12/2014 00:00

Në 42-vjetorin e lindjes së ish-deputetit Sokol Olldashi, në Durrës është mbajtur ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi”, pas vdekjes.

Një muaj më parë, Këshilli Bashkiak i qytetit votoi unanimisht dhënien e këtij titulli, që  iu dorëzua djalit të tij, Glaukut nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Alban Ramohitaj me motivacionin:

“Protagonist i mendimit dhe veprimit demokratizues të Shqipërisë gjatë më shumë se dy dekadave të fundme, që u shqua për guxim dhe qytetari në formulimin dhe promovimin e alternativave të zhvillimit dhe që u kthye në modelin e përfaqësuesit të denjë të qytetarisë rreth këtyre vlerave”.

Në ceremoninë homazh mori pjesë familja e Sokol Olldashit, miq e qytetarë të shumtë pa dallim ngjyrash partiake, të cilët, siç u shpreh dhe deputeti Igli Cara, miku i tij, Olldashi diti t’i mbledhë bashkë.

Me sy të përlotur, e ëma Kozeta Mamaqi falenderoi përzemërsisht për nderimin që iu bë të birit nga qyteti ku ai hodhi hapat e parë.

Në ceremoni ra ne sy mungesa e kryetarit të demokratëve Lulzim Basha dhe liderit historik Sali Berisha, ndërsa ishin të pranishëm sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani, si dhe deputetë shokë të Olldashit që u nda nga jeta 20 nëntorin e vitit 2013.

Top Channel